Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi shkurtime të ndihmave ushqimore në territoret palestineze nga viti i ardhshëm, hap ky që do të prekë dhjetëra mijëra palestinezë të varfër në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, WFP tha se nevojiten 57 milionë dollarë për të ruajtur nivelin aktual të mbështetjes ushqimore për 360 mijë njerëz në vitin 2019.
“Gjersa WFP i jep përparësi operacioneve të saj bazuar në fondet e disponueshme, 27 mijë njerëz në Bregun Perëndimor nuk do të pranojnë asistencë të mëtejshme, ndërsa pjesa tjetër është vendosur të marrin vetëm 80 për qind të shumës së përcaktuar mujore”, thuhet në deklaratë.
WFP deklaroi se do të shkurtojë ndihmën ushqimore për 165 mijë persona në Rripin e Gazës që nga 1 janari.
“WFP është e shqetësuar se këto shkurtime mund të kenë një efekt shkatërrues në sigurinë ushqimore, jetesën dhe mirëqenien e njerëzve që u shërben në Palestinë”, tha agjencia.
Ndihmat e WFP-së shkojnë në komunitetet më të varfra dhe më të pasigurta nga aspekti ushqimor, të cilat klasifikohen si komunitete që përballen me varfëri të thellë.
Shumica e këtyre komuniteteve përpiqen të jetojnë më pak se një dollarë në ditë dhe nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre themelore për ushqim, veshje dhe strehim.
“Ndërsa hendeku midis rritjes së nevojave ushqimore dhe burimeve të disponueshme vazhdon të zgjerohet, WFP nuk ka alternativë tjetër përveçse të marrë këto vendime të vështira”, tha Stephen Kearney, përfaqësuesi dhe drejtori i WFP-së në Palestinë.