Pajaziti: Taksa po kundërshtohet nga partnerët tanë, po shihet si diçka që e pengon dialogun

20:51 | 19 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka thënë se askush nuk duhet të mendojë se dialogu me Serbinë mund të dalë nga ajo që shkruhet në Kushtetutën e Kosovës.

Pajaziti në RTV Dukagjini, ka thënë se është e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare deri në muajin mars.

“Por, nuk është shumë e rëndësishme një muaj më herët apo më vonë, e rëndësishme është arritja e marrëveshjes që do t’i hapte perspektivë të mirë vendit tonë”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se Presidenti e ka edhe detyrë kushtetuese t’i prijë dialogut me Serbinë.

“Presidenti e ka detyrë kushtetuese politikën e jashtme, por bashkëngjitja e këtij grupi përfshirë edhe opozitën është një siguresë për të shkuar mirë procesi”, tha Pajayiti.

Duke folur për taksën ndaj produkteve serbe, Pajaziti ka thënë se është i nevojshëm një studim profesional për efektet që kjo taksë ka pasur në ekonominë tonë.

“Duhet njëfarë vlerësimi ndaj kësaj mase nga ana e ekspertëve qeveritar. Duhet parë nëse kjo taksë ka dëmtuar qytetarët apo buxhetin, a ka nxitur produktin vendor apo jo… Të kemi një vlerësim profesional, por edhe politik”.

Pajaziti thotë se për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, taksa ndaj Serbisë po shihet si diçka që e pengon dialogun.

“Taksa nuk po konsiderohet si diçka që po ndikon në ekonomi, por thjesht po kundërshtohet nga partnerët tanë si diçka që po e pengon dialogun”, deklaroi Pajaziti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme