Google ADS

Serbët e veriut kanë një kërkesë për Brukselin, pas taksës 100% ndaj produkteve serbe

08:41 | 19 Dhjetor 2018
V. S.

Serbët e pjesës veriore të Mitrovicës edhe sot kanë mbajtur një protestë para zyrës së BE-së dhe EULEX-it.

Serbët e pjesës veriore të Mitrovicës gjatë ditës së sotme kanë mbajtur një protestë para zyrës së BE-së dhe EULEX-it.

Përmes kësaj proteste serbët i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të vendosin sanksione ndaj Kosovës për shkak të vendosjes së taksës për mallrat e Serbisë.

Në emër të protestuesve, drejtori i Qendrës Klinike Spitalore në pjesën veriore të Mitrovicës, Milan Ivanoviq, lexoi disa kërkesa.

Ivanoviq në fjalimin e tij theksoi se, tarifat e vendosura nga Kosova, arrestimi i serbëve për siç tha ai, akuza të rrejshme dhe formimi i ushtrisë së Kosovës është vetëm për të frikësuar serbët dhe për të krijuar një “Shqipëri të madhe”, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai po ashtu tha se serbët po kërkojnë garanci të fortë që Njësiti Special i Policisë dhe FSK-ja të mos jenë të pranishëm në veri të Mitrovicës, pasi që sipas tyre, kjo do të ishte mënyra e vetme për të shmangur një konflikt të ri.

Gjithashtu, u tha se përfaqësuesit politikë të serbëve nuk do të kthehen në institucionet e Prishtinës deri në anulimin e tarifave.

Ivanoviq tha se Serbia ishte me qytetarët e saj në Kosovë.“Situata është serioze dhe e vështirë, por të gjithë jemi këtu për të thënë që nuk do të lejojmë dhe nuk do të largohemi nga shtëpitë tona.

Shteti ynë (Serbia) nuk do të lejojë spastrim etnik dhe dhunë kundër serbëve”, tha Ivanoviq.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të reagojë me masa reciproke.

“Dhe ne i bëjmë thirrje shtetit të marrë në konsideratë reciprocitetin, të kthejë radarin në Kopaonik, të forcojë institucionet dhe institucionet e mbrojtjes civile, për të siguruar komunikimin, para së gjithash, në zonat e Jarinjes dhe Bërnjakut …”, tha ndër të tjera Ivanoviq.

Po ashtu protestuesit mirëpritën vendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se dialogu me Kosovën mund të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës.

Duke folur në emër të protestuesve Ivanoviq ka thënë po ashtu se e mirëpresin qëndrimin e Serbisë për të mbrojtur serbët e Kosovës si dhe po ashtu, protestuesit kundërshtuan themelimin e Ushtrisë së Kosovës duke e cilësuar si kërcënim për ta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme