Zemaj: Grupi negociator është dora e fshehtë e Thaçit

19:32 | 18 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se grupi negociator i prirë nga Shpend Ahmeti është dorë e fshehtë e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.

Duke folur për rezolutën e PSD-së të votuar të shtunën në Kuvendin e Kosovës, Zemaj ka thënë se grupi negociator do të tentojë të krijojë pasqyrë të rrejshme se do të jenë grupi i pavarur dhe do të jenë kundërshtarë të propozimeve të Thaçit.

“Këta [grupi negociator] po insistojnë që të krijojnë paralelizma që ta bëjnë dallime mes dialogut që e ka bërë Thaçi dhe duke krijuar pasqyrë të rrejshme se grupi do të jetë i pavarur dhe se do të jetë oponent i propozimeve të Thaçit. Arkitekt i kësaj strategjie të tyre është Thaçi. Kjo tregon qartë se këta janë dora e fshehtë e agjendës së presidentit Thaçit. Kjo vetëm është parë me deklarimet e ditëve të fundit. Prapa këtij plani fshihet Thaçi”, ka thënë Zemaj në “Express Intervistën” në KTV.

Duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij për zgjedhje të reja, deputeti Zemaj ka thënë se grupi negociator nuk do të ketë legjitimitet për shkak se këtë nuk e kanë kërkuar me votën e qytetarëve.

“Ata po na akuzojnë përse po i quajmë jolegjitim. Legjitim është ai që del e kërkon voton për dialogun”, ka thënë Zemaj derisa ka shtuar se rezoluta nuk tregon saktësisht se për çfarë njohje të ndërsjellë bëhet fjalë.

“Nuk dihet çfarë njohje. Brenda kësaj rezolute shihen mangësi dhe lojëra të rrezikshme për Kosovën dhe për të arriturat gjysmake të dialogut deri më tani”, ka thënë veç të tjerash Zemaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme