Google ADS

ATK-ja me 422 milionë euro të hyra këtë vit, synohet një administratë moderne

12:41 | 18 Dhjetor 2018
arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur takim me palët e interesit dhe donatorët në lidhje me të arriturat e ATK-së gjatë vitit 2018-të dhe objektivat për vitin 2019-të.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri tha se këto takime me palë të interesit për ATK-në janë shumë të rëndësishme për të shpalosur të arriturat dhe objektivat e të ardhmes te cilat janë arritur falë bashkëpunimit me institucionet tjera.

“Prioritet i ATK-së është luftimi i informalitetit në Kosovë. ATK-ja ka bashkëpunim me institucionet vendore, policinë e Kosovës, doganën, Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, prokurorinë, gjykatat, me shoqata që përfaqësojnë bizneset në Kosovë. ATK po ashtu ka përkrahje nga shume institucione ndërkombëtare”, tha ai.

Imeri tha se ATK-së i duhet ende shumë punë për të bërë që të jetë një administratë moderne për të gjitha institucionet.“ATK-ja me kapacitetet e saja, me përkrahjen e Ministrisë së Financave do të kryej funksionin e saj në ngritjen e përmbushjes tatimore me zhvillimin e vet. ATK-së ende i duhet shumë punë për të bërë që të jetë një administratë moderne dhe prijëse për administrimin e tatimeve dhe do të vazhdojnë sukseset për një ATK moderne për të gjitha institucionet e vendit dhe jashtë tij”, tha Imeri.

Nait Sharku, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i ATK-së ka prezantuar të arriturat e ATK-së gjatë vitit që po lëmë pas dhe objektivat e administratës për më tutje.

“Në janar-nëntor në vitin 2017-të, të hyrat e ATK-së kanë qenë 381.9 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2018-të kanë qenë 422 milionë euro. Sipas kësaj i bie që 39.9 milionë euro ose 10.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2017-të ose 10.7 milionë euro ose 2.7% më shumë se plani për vitin 2018”, tha Sharku.

Ai tha se ATK-ja do të publikoj të gjitha borxhet që janë ndaj ATK-së dhe kjo po bëhet në mënyrë vetëdijesimi për pagesën e borxheve.Sharku ka prezantuar edhe reformat e ATK-së për vitin 2019-2021.

“Reformat 2019-21 janë implementimi i strategjisë së ATK-së të vitit 2015-20, përmbushja e objektivave në kuadër të MSA-së, modernizimi i ATK-së përmes zëvendësimit të sistemit të teknologjisë informative, zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftën kundër ekonomisë joformale etj”, tha Sharku.

Sharku tha se ATK-ja do të vazhdoj bashkëpunimin e saj për të ardhmen me Bankën Botërore, Ambasadën Britanike, GIZ-in, BE-në, FMN etj.

Zëvendësministri i Financave, Hyzer Gashi tha se ATK-ja është institucioni që më së shumti i sjellë të hyra shtetit të Kosovës. Ai shpreson se vitet e ardhshme falë këtij bashkëpunimi dhe të arriturave që janë në këto institucione, vitet në vazhdim do të jenë vendimtare për ekonominë e vendit.

“Gjatë këtij viti kam parë se ATK ka një performancë të mirë dhe rritje të inkasimit të të hyrave të buxhetit të shtetit dhe krahas kësaj pune të mirë ka pas edhe vështirësi por duke përmirësuar legjislacionin që ka ardh si kërkesë nga ATK-ja dhe Ministria e Financave, patjetër se duhet të koordinohemi të ndërtohen kapacitete të Ministrisë së Financave që njerëzit të merren në mënyrë aktive sepse MSA-ja kërkon hapësirë më të madhe kur kemi të bëjmë më inkasimin e të hyrave nga dogana dhe këtu është bërë një hap para ku në ligj janë futur aspekte se si te përmirësohet kjo dhe si model është marrë Sllovenia”, tha Gashi, raporton EO.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se Policia e Kosovës i jep mbështetje të plotë secilës prej institucioneve dhe se nuk do lejohet që asnjë institucion apo individ të jetë i paprekshëm kur është fjala për keqpërdorime.

“Bashkërisht të punojmë në mënyrë që askush në këtë vend të mos ndihet i paprekshëm dhe nëse bëjmë koordinimin e veprimeve kemi një ardhmëri më të mirë për vendin dhe këtu e konfirmoj edhe njëherë mbështetjen e Policisë së Kosovës për ATK-në dhe në çdo kohë do të keni mbështetjen tonë”, tha Qalaj.Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha tha se institucioni i Doganave të Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës  janë dy institucionet të cilat kanë pasur përgjegjësinë më të madhe të të hyrave dhe rritjen e buxhetit të shtetit.

“Janë 10 vite qe jemi si shtet dhe me institucionet kosovare dhe barra kryesore ka qenë tek Dogana dhe ATK-ja, por falë politikeve fiskale këto dy vite barra më shumë do bie në ATK-në”, tha Berisha.

Ai tha se Dogana ngadalë do filloj të luaj një rol më aktiv në luftën e sigurisë kufitare ndërsa barra e përgjegjësisë të të hyrave do të jetë te ATK-ja.

“Kosova ka marrëveshje me BE-në të MSA-ja dhe tjerat marrëveshje tregon që çështja ë taksës doganore do hiqet dhe do mbetet TVSh-ja dhe akciza, një përgjegjësi e madhe do bie tek Administrata Tatimore”, tha Berisha.

Ruud Veremulen nga Fondi Monetar në Kosovë tha se duhet të bëhet mbledhja e borxheve dhe e tatimeve në mënyrë që të këtë përmirësime në reformën e ATK-së dhe se Fondi Monetar mbetet i përkushtuar ende t’i dal në ndihmë ATK-së.

“Ne mbetemi ende të zotuar se do të ndihmojmë ATK-në në mënyrë që të ngrisim kapacitetet e përmbushjes, siç po shihni ende mbetet punë për të bërë, një shqetësim të madh që kemi pasur si institucion dhe që e kemi nda me institucione tjera është lidhur me nivelin e ulët të mbledhjes të të hyrave. Nëse kombinojmë të hyrat e doganës dhe ATK-së i bie se është 24% e GTP, lidhur me këtë në i mirëpresim të gjitha përpjekjet lidhur me reformën e ATK-së dhe përmirësimin do ta gjejmë në mbledhjen e borxheve dhe mbledhjen e tatimeve”, tha Veremulen./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme