Bëhuni gati, stuhitë e dëborës dhe ngricat mbërthejnë Shqipërinë

19:16 | 17 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Emergjencat Civile paralajmërojnë përkeqësim të kushteve të motit me shtim të reshjeve dhe ulje ulje temperaturash sidomos në zonat malore në ditët në vijim.

Në këto kushte, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes, Haki Çako, u është kërkuar prefektëve të qarqeve, drejtuesve të bashkive, drejtuesve dhe institucioneve qendrore në nivel rajonal dhe vendor, të marrin masa urgjente sipas fushës së përgjegjësisë, për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.

Prefektët e qarqeve nëpërmjet strukturave të emergjencave civile pranë administratës së tyre të komunikojnë me subjektet kontraktore që këto të venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike dhe sasitë e mjaftueshme të kripës, dhe të skorieve etj., për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga dëbora, eliminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien në rrugë, etj.

Gjithashtu, prefektët e qarqeve kërkohet të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit, ARRSH, OSHEE, për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore, veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla dhe anasjelltas, si dhe të punohet për eliminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike të komunitetit, objekteve social-kulturore, spitaleve, hidrovorëve, etj, për të përballuar sa më mirë situatën që mund të krijohet nga reshjet, ngricat, etj.

Strukturat e emergjencave civile pranë Administratës së Prefektit, si dhe pranë bashkive kërkohet të rrisin angazhimin e tyre maksimal, për zbatimin e detyrave, me qëllim që të shmangen pasojat negative të padëshiruara për komunitetin dhe mjedisin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme