Është mbajtur takimi i MPB-së me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës

15:26 | 17 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Këshillin Ekzekutiv të Forumeve të Sigurisë në Bashkësi të Republikës së Kosovës mbajtën takimin e fundit për vitin 2018. Në këtë takim u diskutua për kapacitetet operacionale, sfidat si dhe rekomandimet  për ngritjen e rolit të forumeve të sigurisë në bashkësi.

Takimin e hapi ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili theksoi se qëllimi ynë është të fuqizojmë rolin e forumeve të sigurisë në bashkësi, që të shërbejnë si një qendër dinamike e cila do të ndihmojë në planifikimin e politikave parandaluese, dhe pro-aktive me bazë tek qytetari.

“Njeri ndër prioritet e Republikës së Kosovës është siguria, për çka Qeveria ka një angazhim të vazhdueshëm për krijimin dhe ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi ministri Mustafa.

Ministri Mustafa theksoi se me Strategjinë për Siguri ne Bashkësi, si dhe Strategjinë e Policimit në Bashkësi, siguria e qytetarit është bërë prioritet për Institucionet e vendit dhe njëkohësisht mundëson  partneritet përmes vetëdijesimit dhe adresimit të çështjeve të sigurisë.

“Mundësia e qytetarit për të qenë pro-aktiv me politikat në interes lokal, është siguruar  përmes forumeve të sigurisë nëpër komuna dhe kjo pjesëmarrje aktive kontribuon në siguri më të madhe në të gjitha dimensionet  në nivel vendi”, theksoi ministri Mustafa.

Në këtë takim diskutuan edhe ambasadori i OSBE-së, Jan Braathu, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë,  Per Strand Sjaastad, kryetarë të komunave, si dhe zyrtarë të Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike i MPB-së, Mensur Hoti, prezantoi raportin e përmbledhur me të gjeturat dhe konkluzionet lidhur me vlerësimin e kapaciteteve operacionale të forumeve të sigurisë në bashkësi në të gjitha komunat.

Ky takim është mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme