Google ADS

Haradinaj i përgjigjet BE-së për taksën

13:36 | 17 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Pas letrës që ka marrë kryeministri Ramush Haradinaj nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, Cecilia Malmstrom e Johannes Hahn, lidhur me taksën e vënë ndaj Serbisë, edhe kryeministri i ka dërguar një letër, të cilën e ka siguruar Grupi KOHA.

Haradinaj, përmend se qëndrimi i Kosovës ndaj vendimit për taksën është i pandryshueshëm.

“Të falënderoj përzemërsisht për letrën tuaj më datë 12 dhjetor, në lidhje me çështjen e tarifës. E vlerësoj seriozitetin e qasjes suaj dhe njohurinë tënde për arsyet tona që kemi marrë në këtë vendim”, thuhet aty.

Haradinaj thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk normalizuar fare qysh nga 20 vjet më parë.

Ndër të tjera, Haradinaj thotë se nuk ka asnjë arsye pse Kosova të ndihet fajtore për këtë situatë, duke e ditur edhe vet Mogherini për raportet që janë mes dy vendeve.

“Besoj se është në interes të të gjithëve, Kosovës, Serbisë e Bashkimit Evropian, të merret parasysh ky vendim për të vazhduar tutje. Nuk kemi nevojë për vonesa të mëtejshme”, thuhet ndër të tjera.

BE-ja, përfshirë Përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ofruan opsionin për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.

Por një gjë të tillë, nuk e pranuan nga Kosova. Qeveria Haradinaj, tha se taksa hiqet vetëm kur Serbia ta njeh shtetësinë e Kosovës.

“Vendosja e tarifave të reja në një afat të mesëm do të dëmtojnë interesat ekonomike të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke zvogëluar shkëmbimin tregtar dhe dëmtuar atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes. Në dritë të kësaj ne duam të ritheksojmë se qëndrimi unik i BE-së është se ky vendim duhet të tërhiqet në rastin më të hershëm të mundshëm”, thuhet në letrën që iu drejtuar Haradinajt, raporton KOHA.

Ashtu siç përmendet edhe në letër, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, sot do të takohet në Bruksel me shefen e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Rezoluta për dialogun, krijimi i ushtrisë dhe taksa 100 % ndaj Serbisë gjithashtu pritet të jenë tema të diskutimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme