Rrezikon të mbyllet strehimorja në Prishtinë

12:47 | 16 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, në mungesë të fondeve dhe të licencës ishte mbyllur nga nëntori i vitit 2016, por , ndonëse u hap në qershorin e këtij viti, fati i funksionimit të saj po vazhdon të jetë në rrezik.

Kjo pasi që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale këtë institucion social e ka mbështetur vetëm për 8 muaj, nga qershori deri në fund të këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Zana Hamiti.Sipas saj tani ky shërbim social është mbështet 50 përqind nga MPMS-ja, kurse pjesa tjetër mundësohet nga donatorët e ndryshëm. Hamiti thotë se nga qershori i këtij viti, kur edhe ka nisur punën ky institucion janë strehuar 49 raste.

Ajo tregon për shërbimet dhe procedurat deri tek strehimi i një viktime të dhunës në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Si sfidë të kësaj qendre e konsideron ndarjen e nënës nga fëmijët të gjinisë mashkullore pas moshës 12 vjeçare. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale bëjnë me dije se kanë planifikuar shumë buxhetore për mbështetjen e strehimoreve në Kosovë, por që janë në pritje të aprovimit të buxhetit të vitit 2019 nga Kuvendi i Kosovës.

Ushtruesi i drejtorit të Departamentit të Politikave Sociale, Mentor Morina thotë se për këtë vit përmes një thirrje publike kanë mbështetur shumë OJQ, prej tyre QMGF-ja në Prishtinë për tetë muaj është mbështetur me gjithsej 20 mijë euro. Në këtë shkresë theksohet se komuna e Prishtinës është e obliguar që të mbulojë shpenzimet për ofrimin e shërbimeve për mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, me këtë rast edhe financimin apo mbështetjen e OJQ-ve, e lidhur me këtë çështje.

Me qëllim të ngritjes së vetëdijes si dhe nxitjen e veprimeve për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë ka filluar fushata “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila shënohet çdo vit në mbarë botën, duke filluar më 25 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave dhe vazhdon deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Ndryshe, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë (QMGF), është e themeluar në vitin 1993, ndërsa nga vitit 1999 e deri më tani në këtë strehimore kanë gjetur strehë mbi 1400 viktima të dhunës në familje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme