Tahiri: PDK dhe Veseli sot u rreshtuan fuqishëm për interesat e vendit

21:26 | 15 Dhjetor 2018
A. B.

Ministri i Drejtësisë, njëherit anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se miratimi i rezolutës së sotshme për dialogun me Serbinë, krijon një rrethanë të re politike, jashtëzakonisht të rëndësishme për unitetin e spektrit politik.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj Kadri Veseli, sot janë rreshtuar fuqishëm për interesat e vendit, ku përkundër faktit se janë partneri kryesor qeverisës, me rastin e mbështetjes së plotë të rezolutës së propozuar nga partia opozitare PSD-ja, PDK-ja ka dhënë një shembull të denjë të unitetit kur është fjala për çështjet e interesit shtetëror.

Ai ka theksuar se miratimi i rezolutës nënkupton adoptimin e një formule të qëndrueshme se si duhet t’i qaset Republika e Kosovës dialogut me Serbinë, për të cilin, Tahiri thekson se pret asgjë më pak sesa arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme në mes dy vendeve, e cila i hapë rrugë Kosovës për anëtarësimin në OKB, NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Miratimi i rezolutës së sotshme për dialogun me Serbinë, krijon një rrethanë të re politike dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për unitetin tonë institucional e politik. Tashmë ka një formulë unike se si do t’i qasemi më tutje dialogut, nga i cili presim asgjë më pak sesa një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që i hap rrugë progresit të Kosovës si shtet sovran, anëtare e OKB-së, pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Si çdo herë tjetër, Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari Kadri Veseli, si partneri kryesor qeverisës, sot u rreshtuan fuqishëm për interesat e vendit duke mbështetur rezolutën e subjektit opozitar, PSD-së.”

Tahiri megjithatë ka kritikuar dy subjektet tjera opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjen për siç thekson Tahiri, rreshtimin në dëm të asaj çfarë përfaqëson uniteti politik i një vendi kur është fjala për interesa madhore.

Sipas Tahirit, shmangia nga përgjegjesia që ka opozita, vecmas LDK-ja, për të qenë bashkërisht në temën e dialogut, përbën një papërgjegjësi. Ai vlerëson se qytetarët e Kosovës presin nga spektri politik një qasje unike dhe gjithpërfshirëse për çështjet që janë në interes të vendit.

“Si çdo herë tjetër, Vetëvendosje dhe LDK, fatkeqësisht u rreshtuan në dëm të asaj çfarë përfaqëson uniteti politik i një vendi kur është fjala për interesa madhore. Uroj që reflektimi politik, veçmas i LDK-së, të jetë më i shpejtë sesa shpejtësia me të cilën refuzuan rezolutën përmes së cilës janë vendosur kornizat e qarta të dialogut. Hapat e mëdhenj për vendin duhet të bëhen bashkërisht nga të gjithë, me kontributin e të gjithëve dhe në këtë drejtim, shmangja nga përgjegjësia është papërgjegjësi. Asnjë dëshmi më e mirë nuk mund t’i ofrohet qytetarit sesa uniteti kur është fjala për Republikën, shembullin e të cilit PDK e dha edhe sot.” ka shkruar Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme