Google ADS

Australia e njeh Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit

09:03 | 15 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Australia është bërë njëra ndër vendet e pakta që e ka njohur zyrtarisht Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.

Sidoqoftë, qeveria australiane ka deklaruar se nuk do ta bëjë zhvendosjen e ambasadës së vet nga Tel Avivi në Jerusalem pa u arritur një marrëveshje përfundimtare e paqes.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha se qeveria do ta njohë gjithashtu edhe shtetin e ardhshëm të Palestinës, me kryeqytet Jerusalemin Lindor, pasi të arrihet marrëveshja mes dy shteteve. Njoftimin për këtë vendim e dha vet kryeministri, i cili po e mbante një fjalim në Institutin e Sidnit gjatë ditës së sotme.

Në anën tjetër, udhëheqësi i opozitës, Bill Shorten, tha se vendimi i qeverisë është një vendim shkatërrues dhe është pjesë e fushatës parazgjedhore të kryeministrit. Ai e akuzoi Morrisonin se e ka vendosur interesin personal para interesit kombëtar. Komentet e tij u mbështetën edhe nga zëdhënësja e Zyrës së Jashtme të laburistëve, e cila tha se kryeministri po mundohet ta shpëtojë fytyrën e vet.

Javën e kaluar, udhëheqësit palestinezë lobuan në shtetet e ndryshme myslimane për ta zvogëluar importin e prodhimeve australiane dhe tërheqjen e ambasadorëve nga Australia, në rast se ky shtet merr vendim për ta zhvendosur ambasadën e vet në Jerusalem. Ndonëse ambasada tash për tash nuk do të zhvendoset në Jerusalem, Australia do ta themelojë Zyrën për Mbrojtje dhe Tregti në Jerusalem dhe do të fillojë ta kërkojë një lokacion për ambasadë, shkruan “The Guardian”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme