Përdorimet e veçanta të niseshtesë në shtëpinë tuaj

15:52 | 13 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Niseshteja është një produkt që nuk mungon asnjëherë në raftet e kuzhinës së amvisave shqiptare.

Përdorimi kryesor i saj është kryesisht për gatim, por niseshteja e misrit futet në një gamë të gjërë produktesh që gjejnë vend edhe përtej kuzhinës.

Niseshteja konsiderohet si pluhuri më praktik për amvisat.
Ajo është përdorur nga qytetërime të ndryshme, jo vetëm në përgatitjen e produkteve kozmetike por edhe për ngjitjen e gjërave të thyera.

Niseshteja si lëndë trashëse

Niseshten mund ta përdorni për trashjen e salcave, supave apo lëngjeve të ndryshme të mishit.
Kur jeni duke gatuar një të tillë, thjesht shtoni pak niseshte të tretur në ujë dhe ushqimi do të ketë trashësinë e duhur.

Për një omletë të shkrifët

Niseshteja e misrit e bën omletën shumë të shkrifët. Mjafton të përzieni çerekun e një luge çaji niseshte me vezën dhe ta gatuani.

Niseshteja kundër irritimeve të lëkurës

Niseshteja e misrit qetëson lëkurën sidomos nëse jeni djegur nga dielli.
Përzieni tre lugë gjelle me niseshte në një gotë ujë të ftohtë dhe pastën e krijuar aplikojeni në lëkurë.
Pasi të jetë tharë, shpëlajeni me ujë të ngrohtë.
Niseshteja si deodorant

Kjo pudër është shumë e mirë në përthithjen e lagështisë.
Përziejeni me sodë buke dhe pak vaj arre kokosi dhe kështu keni krijuar një deodorant natyral kundër djersës.

Për heqjen e njollave të vajit

Hidhni niseshte misri mbi njollën e vajit. Në një orë ajo do të përthithë yndyrën dhe do të lehtësojë pastrimin përfundimtar të njollës.

Për zbërthimin e nyjeve

Nëse po përpiqeni të zgjidhni një nyje të lidhur fort, atëherë përdorni niseshten.
Ajo do të lehtësojë çlirimin e fibrave dhe zbërthimin e tyre.

Për ngjyrosjen e thonjve

Nëse ju pëlqejnë ngjyrat mat pa shkëlqim të manikyrit atëherë përziejeni niseshten me manikyrin në një enë të vogël dhe më pas aplikojeni menjëherë në thonj.

Niseshtja për pastrimin e lodrave prej pellushi

Vendosini lodrat në një qese letre, hidhni niseshte, mbylleni qesen dhe shkundeni 2-3 herë.
Mbajeni mbyllur për gjithë natën dhe të nesërmen shkundeni në ballkon me gjithë papastërtitë.

Niseshteja si shampo e thatë

Shampoja e thatë është shumë e mirë kur nuk keni kohë për një larje të zakonshme.
Bashkoni niseshten me vaj rozmarine dhe përdorni një furçë për ta vendosur në pjesën e rrënjëve. Ose mund ta përdorni edhe më vete e më pas krihni flokët mirë.

Niseshteja kundër pickimit të insekteve

Përzieni tre lugë gjelle me niseshte me ujë të ftohtë dhe pastën e formuar vendoseni në zonën e prekur nga insektet.
Kruarja do të largohet menjëherë.

Niseshtja për të gjallëruar librat e vjetër

Me kalimin e viteve, librat mbajnë erë myku e cila mund të largohet me pak niseshte.

Niseshtja për pastrimin e argjendurinave

Përziejeni pak niseshte me një gotë ujë dhe me masën e krijuar fërkoni enët, lugët dhe pirunjtë.
Pas tharjes, përdorni një napë të pastër për të hequr mbetjet.

Niseshteja për larjen e xhamave

Kombinoni pak uthull, ujë dhe niseshte dhe me këtë masë lani xhamat e shtëpisë.
Më pas, fshijini xhamat me një copë të pastër pambuku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme