Disenjatori nga Prishtina që krijon aksesorë unik

15:23 | 13 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kravatat, fjongot dhe shallet janë aksesorët që djaloshi nga Prishtina i pëlqen të krijojë për meshkujt dhe femrat.

Eron Sahiti i cili tash është duke vijuar vitin e dytë të studimeve në Fakultetin e Arteve në drejtimin dizajn skenë dhe kostumografi në një intervistë për Arbresh.info ka treguar pasionin e tij për krijimin e kravatave, fjongove dhe shalleve dhe se çfarë i bënë unike ato.

Sahiti ka treguar se rrobaqepësia është traditë e familjes së tij kurse arsyeja pse është koncentruar pikërisht në këta lloj aksesorësh është mungesa e punimit të tyre me duar në tregun kosovar.

“Arsyeja kryesore pse kam filluar me u marr me krijimin e kravatave, fjongove dhe shalleve unike është se rrobaqepësia është traditë në familjen time, kurse arsyeja pse jam koncentruar më shumë në krijimin e këtyre aksesorëve të veshjes është mungesa në treg e aksesoreve të tilla të punuara me dorë” ka treguar Sahiti.

Ai me punimin e fjongove ka filluar në këtë vit por për shkak të kërkesave të mëdha ai ka filluar të merret edhe me krijimin e kravatave dhe shalleve.

“Krijimin e aksesorëve e kam filluar këtë vit, me saktësisht kam filluar me punimin e fjongove pastaj për shkak të kërkesave të shumta kam filluar të punoj edhe kravata dhe së fundmi edhe shalle për stinën e dimrit”, ka thënë ai.

Disenjatori nga Prishtina ka treguar se ku e gjen inspirimin për krijimin e tyre.

“Nuk bazohem patjetër në trende, në fakt inspirimin e marr nga materialet me të cilat i punojë këta aksesorë” ka treguar ai.

Sahiti poashtu tregon se këta aksesorë mund të bëhen pjese e veshjeve edhe të femrave jo vetëm tek meshkujt.

“Mendoj se kravatat dhe fjongot mund të vishen nga të dy gjinitë pa përjashtim, varet vetëm nga shija dhe stili personal”, është shprehur Sahiti.

Sipas tij kravatat dhe fjongot kompletojnë veshjet serioze.

“Megjithatë kravatat dhe fjongot janë bërë aksesorë thuajse të domosdoshëm për të kompletuar veshjet me serioze , siç janë këmishat, setrat dhe pantallonat, të cilat nuk dalin kurrë nga moda vetëm se marrin forma, ngjyra apo dizajne të kohës”, ka thënë ai.

Sahiti për Arbresh.info ka treguar se momentalisht është fokusuar në krijimin e shalleve për femra dhe meshkuj./Arbresh.info/R.Rexhepi

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme