Lazarat, rrëfimi i punëtorit të hashashit: Mbi 20 furgona transportonin çdo ditë

21:40 | 12 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Top Story përmes dëshmive, bisedimeve dhe intervistave brenda në fshatin e Lazaratit, solli në vëmendje se çfarë ndodhte brenda këtij fshati, gjatë viteve ku ky fshat u pushtua nga mbjellja dhe kultivimi i Hashashit. Top Story bisedoi me një ish-punëtor në arat e hashashit, i cili në atë kohë vinte që nga larg për të punuar në Lazarat.

“Një familje, të jemi realist për këto gjëra, mbillej shumë pak, nga 2000 deri në 6 mijë – 7 mijë rrënjë. Gjëra të vogla, kuptohet”, -tha ish-punëtori.
Gjatë atyre viteve Lazarati punësonte me mijëra punëtorë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ata ishin sezonalë që vinin në fshat që kur mbillej hashashi, e deri sa dilte për shitje.

“Diskutohej që në një shtëpi të kishte të paktën mbi 70 punëtorë. Gra, plaka, të rinj. Fillonte që nga moment i mbjelljes e deri tek vjelja e hashashit. Puna qe shumë intensive natë edhe ditë. Hahej aty, pihej aty, dhe gatuanin të zotët e shtëpisë. Fjetja qe e garantuar, nga punëdhënësit. Flinin në mënyrë praktike si marinarët në ushtri. Dy nga dy tre nga tre në kapanone të mëdha. Fillonte transporti nga ora 4 e mëngjesit dhe nuk kishte fillim e fund ajo punë. 20 furgona venin e 20 vinin. Lekët që fitonin, I hidhnin dhe shpenzonin duke hapur kazino dhe lloto”, -rrëfeu ish-punëtori për Top Story.

Kjo lloj industrie e paligjshme, gjeneroi të ardhura në fshat dhe e nxori atë nga varfëria e thellë, e trashëguar që nga koha e sistemit komunist.

“Faktikisht fshatarët morën të ardhura, dhe bënë disa punë, dikush bëri shtëpi, dikush me një kat, dikush e bëri me dy kate. Pati edhe një farë qarkullim leku në qytetin e Gjirokastrës për blerje materialesh, por fitimet më të mëdha i kishin bosët, ata që e sollën aty dhe që e drejtonin atë biznes, të cilët nuk ishin nga Lazarati”, rrëfeu Islam Buçi./tch/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme