Partitë politike opozitare në Kosovë thonë se nuk do të votojnë Projektligjin e propozuar për buxhetin e vitit 2019, pasi që si i tillë ky Projektbuxhet, sipas tyre, nuk adreson problemet e papunësisë e varfërisë dhe nuk është buxhet i cili premton zhvillim ekonomik.
Rritja e buxhetit për skema sociale është një nga pikat që, po ashtu, po kritikohet nga deputetë të partive politike në opozitë.
Gjatë javës së kaluar, Kuvendi i Kosovës debatoi për dy ditë rresht për buxhetin e propozuar nga Qeveria. Por, debati përfundoi pa votimin e Projektligjit, pasi që Kuvendi nuk kishte kuorum për vendimmarrje. Votimi në parim për Projektligjin për buxhetin e vitit 2019, pritet të ndodhë javën e ardhshme.
Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se nuk do të votojë Projektbuxhetin.
Hykmete Bajrami, deputete nga radhët e LDK-së, thotë për “Radion Evropa e Lirë”, se në formën si është paraqitur Projektbuxheti i vitit 2019, vota e këtij subjekti partiak do të jetë kundër.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të votojë buxhetin as në lexim të parë dhe as në lexim të dytë. Ne jemi skeptikë se në mes të dy leximeve mund të përmirësohet buxheti, pasi që vërejtjet janë shumë substanciale, saqë do të duhej komplet të projektohet një Projektbuxhet tjetër, në mënyrë që të jetë i pranueshëm. Kështu që vota e LDK-së dhe Grupit Parlamentar të LDK-së është kundër edhe në leximin e parë dhe në të dytë të buxhetit”, thekson Bajrami.
Në muajin tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2019, i cili parashihet të arrijë shifrën e 2.3 miliardë eurove.
Arsyet se pse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk voton këtë buxhet, sipas Hykmete Bajramit, janë të shumta. Sipas saj, vërejtja kryesore e LDK-së për Projektbuxhetin e vitit 2019 është se ai më shumë ka të bëjë me një buxhet elektoral dhe social sesa zhvillimor.
“Për herë të parë në historinë e buxhetit të Kosovë, kategoria e mbrojtjes sociale është kategoria më e madhe. Në përqindjen e buxhetit kemi 22 skema aktive sociale, janë rritur skema të panevojshme nuk është buxhet që shënjestron varfërinë, nëse shohim familjet që marrin asistencë sociale, nuk është rritur buxheti, ai mbetet 30 milionë aq sa ka qenë në vitin 2018. Investimet kapitale janë komplet me shpërndarje politike, investimet sa i përket zhvillimit ekonomik është tepër i mangët. Ne nga bizneset po marrim taksa që po paguajmë privilegjet dhe përfitimet e të gjithë atyre që janë në pushtet duke përfshirë këtu edhe Kuvendin e Kosovës, ndërsa shumë pak po ofrojnë shërbime dhe mbështetje për zhvillimin e sektorit privat”, thekson ajo.
Votën kundër Projektbuxhetit për vitin 2019, e deklaron edhe subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje!.
Arbërie Nagavci, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha për Radion Evropa e Lirë, se pa përmirësimin e mangësive të evidentuara nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk do votojnë për Projektligjin për buxhetin.
“Buxheti nuk është as zhvillimor e as progresiv. Nëse e bëjmë një analizë të buxhetit shihet se pjesa më e madhe e buxhetit shkon në projektet e vitit të kaluar dhe për më keq se në buxhet janë akomoduar shkeljet që janë bërë më herët. Kështu që ne nuk do ta votojmë si të tillë. Ne kemi përgatitur një amendament për të përmirësuar çështje të caktuar dhe do të votonim me këto ndryshime, por si të tillë nuk do ta votojmë”, thekson Nagavci.
Ajo shton se në amendamentin e Vetëvendosje janë paraparë çështjet të cilat adresojnë projekte zhvillimore në arsim shëndetësi dhe çështje të tjera që krijojnë mundësi të zhvillimi ekonomik.
Të kontaktuar nga “Radio Evropa e Lirë”, përfaqësuesit e subjektit tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.
Por, në seancën parlamentare për Projektbuxhetin, Dardan Sejdiu, deputet nga kjo parti kishte paraqitur disa argumente pse kjo parti nuk e mbështetë në formën e paraqitur buxhetin për vitin e ardhshëm.
Ky buxhet, sipas PSD-së, është një buxhet, i cili vazhdon avazin e vjetër për trajtimin dhe akomodimin e nevojave të qeverive.
Në një prezantim të buxhetit që i ka bërë ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, në Kuvendin e Kosovës pati thënë se me këtë buxhet, rritja ekonomike do të arrijë deri në 4.7 për qind. Derisa, ky Projektbuxhet prioritet i jep sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë.
Derisa, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.
Në anën tjetër, nëse buxheti nuk votohet, sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri më 20 dhjetor, vendi mund të shkojë në krizë buxhetore. Atëherë, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti.
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...
NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit...
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...