Qeverisë i bëhet thirrje ta rinegociojë CEFTA-n

11:04 | 12 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Republika e Kosovës duhet të rinegociojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, e njohur si CEFTA, pasi që nga nënshkrimi i saj Kosova nuk është trajtuar e barabartë më vendet anëtare të kësaj marrëveshje, thonë ish-zyrtarë të Qeverisë se Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, kjo marrëveshje është nënshkruar në kohë jo të duhur dhe në të shumtën e rasteve, kjo marrëveshje ka dëmtuar ekonominë e Kosovës.

Rezultatet e marrëveshjes në atë kohë kanë qenë vetëm në aspektin politik dhe jo në atë ekonomik. Sa i përket shkëmbimeve tregtare të Kosovës me bllokun e CEFTA-s, Kosova ka raport jo të mirë në mes eksportit dhe importit.

Të dhënat e Agjencisë se Statistikave të Kosovës tregojnë se në vitin e kaluar importi i mallrave nga vendet anëtare të CEFTA-s ka qenë mbi 856 milionë euro, kurse eksporti i mallrave të Kosovës në vendet anëtare të kësaj marrëveshjeje, po në këtë vit ka qenë 183 milionë euro.

Në këtë mekanizëm, përveç Kosovës anëtarë të tjerë janë: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale është shumë e favorshme që Kosova të tërhiqet nga ky mekanizëm dhe më pas të rinegociohet. Arsye e kësaj, sipas ish-ministrit, është se Kosova në këtë mekanizëm ende përfaqësohet si UNMIK dhe jo si Republikë e Kosovës.

Edhe Ismet Mulaj, ekspert për çështje ekonomike, thotë se për arsye politike dhe ekonomike, Kosova duhet të rinegociojë këtë marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme