Ministri Bytyqi dhe shefja e BE-së në Kosovë biseduan me nxënës për dukurinë e korrupsionit

14:11 | 11 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë diskutuar me nxënësit e shkollave të mesme në temën: “Avokimi i ndryshimit kulturor: Roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes”, me theks dukurinë e korrupsionit si një e keqe që i kanoset të ardhmes së vendit.

Në këtë diskutim kanë marrë pjesë edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, përfaqësuesi i Ambasadës Italiane në Kosovë, Matteo Corradini dhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupcionit, Shaip Havolli, të cilët gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit.

Ministri Bytyqi, me këtë rast theksoi se, institucionet shtetërore, veçanërisht të rinjtë, luftimin e korrupsionit duhet ta kenë përditshmëri, ndërsa tha se dihen dëmet që i shkakton kjo dukuri një vendi, të rinjve dhe qytetarëve në përgjithësi, sepse është pengesë serioze e zhvillimit.

Ministri theksoi se, fillimisht duhet ta pranojmë se kjo dukuri ekziston në vendin tonë dhe pastaj ta gjejmë mënyrën se si ta luftojmë. Megjithatë, ai tha se parandalimi i korrupsionit është shumë më i lehtë se luftimi i tij.

“Nëse flasim në nivelin e lartë, nuk mund të flasim për parandalim, por për luftim, ndërsa kur flasim me juve të rinjtë, flasim për parandalim, që është edhe faza më e lehtë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa iu tha të rinjve se këtë mund ta bëjnë duke u edukuar dhe duke i kuptuar dëmet që shktakton kjo dukuri negative.

Ministri theksoi se, nëse ne këtë e bëjmë kulturë të përditshme, duke edukuar veten dhe pjesëtarët tjerë të familjes, jemi në fillim të mbarë për parandalimin e korrupsionit dhe për të kërkuar edhe luftimin e atyre që tashmë janë korruptuar.

“Të rinjtë duhet ta kuptojnë se është vlerë të jesh i ndershëm, është vlerë që çdo gjë që e bën ta fitosh me dije dhe djersë, e jo me forma të tjera korruptive”, tha në fund ministri Bytyqi.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se rinia e sotme, janë udhëheqësit e së nesërmes. “Të gjithë ju mund të jeni forca kryesore që lufton korrupsionin, krimin e organizuar dhe gjitha këto të këqija ndikojnë negativisht në të ardhmen e Kosovës”.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të “Javës kundër korrupsionit 2018 “, që po realizohet përmes “Projektit kundër krimit ekonomik “, të Këshillit të Evropës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme