Abdixhiku: PSD-ja më afër AAK-së në pushtet se LDK-së e VV-së në opozitë

00:13 | 11 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Vetëm dy parti opozitare janë në Parlamentin e Kosovës, sipas deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se partia tjetër, PSD, më shumë është afër pushtetit se LDK-së e VV-së në opozitë.

Në Interaktiv të KTV-së, Abdixhiku ka thënë se në fjalimet e tyre deputetët e PSD-së 90 për qind të kohës merren me opozitën dhe shumë pak flasin për pozitën.

“Po besoj që vullneti i opozitës artikulohet mes dy partive opozitare. Jo më të mëdha, por të vetmet. Me veprimet politike që i kanë, nuk sillen si opozitë. Më afër AAK-së në pushtet se LDK-së e VV-së në opozitë. Në fjalimet e tyre më shumë merren me opozitën se pozitën. Për 9 minuta flasin për opozitën, e një minutë për pozitën, AAK-në e kryeministrin. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë ashtu. Por pavarësisht kësaj është politikë e tyre e në fund të ditës do të matemi të gjithë e do të marrim koshin e votave që e kemi merituar. Me rëndësi është të ndalim procesin politik ku është futur Kosova, përtej kalkulimeve minore partiake që po i shohim tani sepse bëhet fjalë për shtetësinë dhe korrigjimin e diçkaje që po e shohin konfliktuoze”, ka thënë ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se fillimisht duhet të mbahen zgjedhje që ky dialog të udhëhiqet nga ata që kanë besimin e qytetarëve. Sipas tij, koalicioni aktual nuk e ka besimin e popullit dhe vetëm pas zgjedhjeve dikush mund të ketë të drejtë të negociojë në emër të popullit. Ka thënë se LDK-ja refuzon me çdo kusht dialogimin për kufijtë.

Sa i përket propozimit që Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj të udhëheqin ekipin negociator në dialog, Abdixhiku ka thënë se asnjëri nuk ka legjitimitet që të përfaqësojë shtetin.

“As këta zotërinj nuk janë në gjendje e as s’kanë legjitimitet të përfaqësojnë dikë. për të përfaqësuar dikë duhet zgjedhje për të pasur legjitimitet”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme