Kuvendi s’e ka kryer as gjysmën e punës për këtë vit

12:23 | 10 Dhjetor 2018
V. S.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta kryejë as gjysmën e punës së planifikuar për këtë vit, duke miratuar vetëm 68 nga 170 ligjet sa janë paraparë në agjendën legjislative. Ndërkohë që shumica e seancave kanë përfunduar pa u kryer pikat e rendit të ditës për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Qëkur ka filluar legjislatura e gjashtë Kuvendi i Kosovës ka pësuar ngecje në punën e tij. Ndërsa këtë vit, sipas të dhënave të Institutit Demokratik të Kosovës, Kuvendi ka mbajtur 39 seanca, ka arritur ta përmbushë vetëm 40% të agjendës së tij. Nga 170 ligje sa janë në agjendë 68 janë miratuar, 56 janë në procedurë dhe 46 ligje në pritje për t’u futur në procedurë.

Vlerësohet që ndër shkaqet që nuk është përmbushur as gjysma e agjendës legjislative të Kuvendit janë mungesa e kuorumit, stërzgjatja e seancave, caktimi i seancave të reja pa përfunduar ato që kanë nisur dhe bojkoti i seancave nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Qeveria aktualisht nuk i ka numrat për të votuar asnjë ligj pa prezencën e opozitës, pasi që së fundmi edhe Lista Serbe, që ishte pjesë e Qeverisë, po e bojkoton punën e Kuvendit të Kosovës./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme