Google ADS

Ibishi: Duhet ndalur iniciativa për korrigjim të kufijve

13:42 | 9 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Vënia e taksës për produktet serbe që vijnë në Kosovë, ka lënë nën hije temën e shumëpërfolur për korrigjim të kufijve me Serbinë. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se kjo ide është qëllimkeqe dhe duhet ndalur.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka thënë se kjo temë jo veç që është e rrezikshme për Kosovën, por paraqet rrezik për gjithë rajonin, edhe ashtu në një situatë të brishtë sipas tij.

Ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve për Ballkanin dhe për Kosovën, sipas Ibishit është sikurse “Kutia e Pandorës”.

Duke theksuar shkallën e lartë të rrezikut që paraqet ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit, Ibishi thotë se është më mirë të ketë një konflikt të ngrirë në veri se sa të hapen edhe çështje të tjera.

Ai ka folur edhe për mekanizmat e sigurisë që ka Kosova, ku ka thënë se është fat i mirë që këta të fundit janë krijuar në mënyrë demokratike, porse thekson se këto të fundit janë në fazën e reformave dhe jo me kapacitete të plota.

E se situata nuk është e mirë, sipas tij, dëshmojnë edhe manovrat e kohëve të fundit të Serbisë në pika të afërta me Kosovën.

Për shkak të kësaj, dhe rrethanave tjera në të cilat ndodhet vendi, Ibishi thotë se është e nevojshme  prezenca ndërkombëtare në Kosovë.

Sikur të mos mjaftonte politika e dëmshme serbe për Kosovën, ai rendit edhe ndikimin rus si një nga problemet me të cilat përballet rajoni dhe Kosova.

Krejt në fund, eksperti i çështjeve të sigurisë ka folur edhe për Listën Serbe, për të cilën thotë se nuk përfaqëson kurrfarë zëri të qytetarëve të Kosovës pasi që është e dirigjuar tërësisht nga Beogradi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme