Pikërisht në javën kundër dhunës ndaj gruas, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në komunën e Prishtinës, për shkak të borxhit që ka ndaj KEDS, po rrezikon të mbyllet.
Kompania e cila furnizon këtë qendër me energji elektrike, KEDS, për shkak të mospagesës së borxhit prej më shumë se 7 mijë euro, e ka dërguar rastin te përmbaruesi.
Drejtoresha e kësaj qendre, Zana Asllani, ka thënë për KALLXO.com se borxhi ndaj KEDS nuk është paguar nga ana e tyre për shkak të mungesës së fondeve.
“Jam e vetëdijshme që borxhi duhet paguar, mirëpo ishim në pritje të përgjigjes nga KEDS, për ndryshimin e tarifave, nga ajo biznesore të kthehet në shpenzime të amvisërisë”, ka thënë Asllani.
Ajo ka treguar se të vetmen përkrahje si strehimore në Komunën e Prishtinës e kanë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila mbulon 50% të shërbimeve të strehimores.
Asllani ka shtuar për KALLXO.com se kjo strehimore duhet të funksionojë si amvisëri e jo si biznes, pasi nuk është organizatë profitabile, por humane.
Ajo tutje ka shtuar se për këtë kanë bërë dy kërkesa drejtuar KEDS-it, por që të dyja janë refuzuar.
“Kemi dy kërkesa drejtuar KEDS për kthimin e tarifave nga biznesi në amvisëri, por është kthyer përgjigjja se nuk është e mundur të bëhet ndërrimi. Arsyetimi ka qenë se të gjitha organizatat e regjistruara paguajnë shpenzime si biznes”, ka thënë Asllani.
Drejtoresha përgjegjësinë për këtë situatë ua ka lënë komunave në rajon nga të cilat edhe ka kërkuar ndihmë.
“Të gjitha institucionet e largojnë përgjegjësinë prej vetes. Realisht do të duhej t’iu takonte komunave të rajonit të Prishtinës , banorëve të të cilave ne u ofrojmë shërbime, të paktën të participonin diçka”, ka thënë Asllani.
Ajo ka shtuar se Qendra nuk do të mbyllet, mirëpo ekziston mundësia që nuk do të kenë mundësi të pranojnë raste për strehim.
Për problemin e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për KALLXO.com se tarifa e kësaj qendre nga biznes në amvisëri nuk mund të ndërrohet.
“Ligji për Energjinë Elektrike definon qartazi statusin e konsumatorëve familjarë dhe jo familjar ku: “Konsumator Familjar” është konsumatori qe blen energjinë elektrike për konsum vetanak, ndërsa “Konsumator Jo-familjar” është konsumatori që blen energjinë elektrike të cilën nuk e shfrytëzon për nevoja të veta familjare”, thuhet në përgjigjen e Buzhalës.
Ai tutje ka shtuar se strehimorja ka borxh total të energjisë elektrike në shumë prej 7 mijë e 451 euro.
Për problemin e strehimores KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës, për të pyetur nëse e kanë ndihmuar ndonjëherë këtë strehimore në pjesën financiare.
Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë se Komuna e ka ndihmuar strehimoren me aq buxhet sa kishte mundësi.
“Për shkak të borxhit të strehimores, Komuna i ka ndarë 500 euro subvencion për këtë problem. Ne si komuna këtë subvencion prej 500 euro e kemi dhënë pikësirsht për të parandaluar shkyqjen e energjisë elektrike. Aq kemi mundësi dhe buxhet”, ka thënë Mullafazliu për KALLXO.com.
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...