Partia Liberale: Petroviq u ndalua nga BIA serbe

23:59 | 8 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, u ndalua nga xhandarmëria serbe në pikën kufitare të Merdares, ku u mbajt për më shumë se katër orë.

Pas kësaj, pasuan reagimet e institucioneve të Kosovës, të cilat e dënuan këtë akt të palës serbe.

E në një reagim të Partisë Liberale Serbe, kryetar i të cilës është vetë Petroviq, po thuhet se ky i fundit u ndalua nga BIA serbe.

“Një zyrtar i ministrisë së Brendshme, pas dhënies së dokumentit, i tha Petroviqit se duhet të presë ardhjen e pjesëtarëve të Agjencisë së Sigurisë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

“Pas më shumë se dy orë pritje dhe arritjes së pjesëtarëve të BIA-s, atij iu tha se duhet të presë deri në një përgjigje nga Beogradit për arsyet e ndalesës së tij”, bëhet e ditur aty.

Sipas njoftimit nga Partia Liberale Serbe, Petroviq, pas më shumë se katër orë pritje, u lejua të vazhdoj udhëtimin e tij, pa iu dhënë ndonjë arsye se pse ishte ndalur në këtë pikë kufitare.

Partia kryetar i së cilës është Petroviq, ka kërkuar një sqarim nga Beogradi, ministria serbe e Punëve të Brendshme dhe BIA për arsyen e ndalesës së të parit të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme