Google ADS

Përdorimi i dinarit serb po i shkakton humbje buxhetit të Kosovës

23:15 | 8 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Në territorin e Republikës së Kosovës nuk mund të paguash me dollarë, franga e lira, por jo larg Prishtinës mund të blesh produkte me dinarin serb.

Pavarësisht Kushtetutës së Kosovës ku është përcaktuar euro si valutë zyrtare, dinari serb vazhdon të përdorët nga komuniteti serb në komunat të banuara me shumicë serbe.

Përdorimi i dinarit serb po i shkakton dëme buxhetit të shtetit me miliona euro, kjo pasi kjo valutë nuk njihet në vend dhe nuk deklarohet në ATK shitjet që bëhen përmes saj.

Ekspert të ekonomisë vlerësojnë si të dëmshëm përdorimin e tij në aspektin ekonomik dhe shkelje të kushtetutës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulëzim Beqiri,për Indeksonline thotë se përdorimi i dinarit serb rritë edhe ekonominë informale.

Ai thotë se 30-40% e ekonomisë së zezë është ajo që vjen nga veriu i vendit.

“Në Republikën e Kosovës valutë zyrtare sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është euro, andaj përdorimi i dinarit serb bie ndesh me Kushtetutën dhe rregulloret e Bankës Qendrore, me një klikim të thjesht në web faqen e BQK-së shihet qartë se përdorimi i vetëm i valutës është euro, siç dihet në enklavat serbe përdoret me të madhe dinari serb, e nga i cili shkaktohen miliona euro humbje buxhetit të shtetit, gjithashtu është rritur edhe ekonominë informale, siç dihet nga analiza të shumta ekonomia e zezë është rreth 30- 40 % dhe pjesa më e madhe vjen nga veriu i vendit i banuar me shumicë serbe. Pra komuniteti serb shkel Kushtetutën e shtetit vazhdimisht, pothuajse gëzon të drejtat më të favorshme në botë, por prapë vazhdon që sytë t’i ketë nga Beogradi”, ka thënë Beqiri për Indeksonline.

Edhe njohësi tjetër, Naim Gashi vlerëson se dinari serb nuk është valutë konvertibile dhe si e tillë mund të ndikojë në çmime në vendbanimet serbe.

“Përdorimi i dinarit serb në tregun e Kosovës përveç se është shkelje e ligjit, Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit, është edhe i dëmshëm në aspektin ekonomik. Dinari serbe nuk është valutë konvertibile dhe si e tillë mund të ndikojë në çmime në vendbanimet serbe, sa herë që ka inflacion. Përdorimi i dinarit ka edhe kosto të transakcionit pasi që sa herë të bëhet shkëmbimi me euro, ndikon në shpenzimet e konsumatorit”, ka theksuar Gashi.

Ai mes të tjerash ka shtuar se përdorimi i dinarit serb ka pasoja ekonomike dhe si e tillë  Banka Qendrore duhet të përdorë mekanizma për luftimin e kësaj dukurie.

“Për mendimin tim Banka Qendrore e Kosovës duhet ti përdorë mekanizmat ligjorë për luftimin e kësaj dukurie e cila ka pasoja ekonomike dhe është cenim i rendit tonë kushtetues. Nuk ka asnjë arsye ekonomike për përdorimin e dinarit serb pasi që ajo është një valutë jostabile ka inflacion të vazhdueshëm dhe është e papranueshme në gjithë botën me përjashtim të Serbisë”, ka shtuar Gashi.

Indeksonline ka adresuar pyetje se pse ende lejohet përdorimi i dinarit serb dhe sa i kushton kjo buxhetit të shtetit, mirëpo ,përgjigje konkrete nuk kanë dhënë zyrtarë nga ky institucion financiar.

Zëdhënës i BQK-së, Kushtrim Ahmeti në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se valuta zyrtarë është euro dhe se BQK ka specifikuar kufizimin e ekspozimit të bankave ndaj rrezikut nga aktiviteti i këmbimit valuator.

“Valutë zyrtare për pagesa në Kosovë është Euro. Sipas Rregullores për Rrezikun nga Aktiviteti me Valuta të Huaja, BQK ka specifikuar kufizimin e ekspozimit të bankave ndaj rrezikut nga aktiviteti i këmbimit valutor. Për më shumë, asnjë bankë nuk duhet të ketë pozicion neto të hapur të valutës së huaj, në asnjë nga valutat e huaja që tejkalon 15% të kapitalit të klasit të I-rë të saj, ku bankat janë në pajtueshmëri me kërkesë në fjalë. Për më shumë, ky pozicion ka të bëjë me raportin në mes të mjeteve dhe obligimeve të një banke e që në momentin që ato zbriten, vlera e fituar të mos jetë më e madhe se 15% e kapitalit të klasit të parë”, thuhet në përgjigjën e tij.

Edhe pse BQK e sheh si valutë zyrtarë euron, dinari serb që përdorët në komunat e banuara me popullsi serbe po shkakton pasoja për ekonominë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme