Google ADS

Thaçi në Londër, flet për marrëveshje me Serbinë dhe për krijimin e ushtrisë

19:14 | 6 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për një vizitë njëditore në Britaninë e Madhe.

Thaçi sot në Londër ka takuar Sir Alan Duncan, Ministër për Evropë dhe Amerikë në qeverinë britanike, bën të ditur një njoftim nga Presidenca.

Kreu i shtetit e ka njoftuar ministrin britanik për përpjekjet për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në reforma dhe është e interesuar që të vazhdojë me këta hapa edhe në të ardhmen”, ka thënë Thaçi.

“Po punojmë edhe për një marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Duncan ka thënë se Britania e Madhe mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe të rajonit, thekson komunikata.

“Mbështesim përpjekjet për të ndërtuar paqe e stabilitet të qëndrueshëm në tërë rajonin e Evropës Juglindore”, u shpreh Duncan.

Thaçi në takim me ministrin Duncan ka theksuar se Kosova dëshiron të bëhet kontribuuese në paqen në rajon dhe më gjerë, si dhe në shërbim të kësaj janë edhe përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë, e cila do të sjellë njohjen reciproke dhe mbylljen e kapitullit të konfliktit, bën të ditur njoftimi.

Me Duncanin, Thaçi ka folur edhe për angazhimet për të përmbyllur procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme