Google ADS

Për 20 vjet asnjë investim i huaj

09:00 | 6 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Për 20 vjet të pasluftës në Skenderaj, i cili para luftës njihej si qyteti industrial me 5 fabrika funksionale, nuk është realizuar asnjë projekt i rëndësishëm me investitorë të huaj. Qendra e Kompetencës (donacion i qeverisë së Norvegjisë) është projekti i vetëm, ndërkaq kanë dështuar investitorët sllovenë dhe ata britanikë, të cilët kishin premtuar mbi 30 milionë euro investime, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Skenderaj dikur njihej si qyteti industrial në Kosovë me pesë fabrika funksionale, të cilat punësonin mbi 3000 drenicas, ndërkaq tani 20 vjet pas përfundimit të luftës përballet me kapacitete të mangëta ekonomike. Investimet e huaja në komunën e Skenderajt kanë munguar, ndonëse ishin bërë përpjekje të realizoheshin disa projekte, ndër më të njohurit Parku Teknologjik dhe fabrika e sheqerit.

Para luftës në Skenderaj ishin funksionale fabrika e tekstilit, fabrika e municionit të gjuetisë, fabrika e plastikës, fabrika e miellit dhe fabrika e materialit ndërtimor, ndërsa sot janë funksionale vetëm këto dy të fundit,  të cilat janë punëdhënëse të një numri të vogël të punëtorëve. Tri nga pesë fabrikat që i kishte dikur Skenderaj tanimë nuk janë funksionale.

Fabrika e tekstilit “Vushtreks” është privatizuar dhe objekti i saj është rrënuar, fabrika e municionit të gjuetisë “Trepça” është shkatërruar krejtësisht, pasi paraprakisht e gjithë teknologjia e saj është vjedhur nga organet e dhunshme të Serbisë, ndërsa fabrika e plastikës është shndërruar në qendër tregtare pasi është privatizuar, ndërkohë blerësi i saj nuk ka përmbushur një prej kritereve kryesore të kontratës, që të paktën 5 vjet pas privatizimit të kryejë veprimtarinë që ka pasur përpara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme