30 ditë paraburgim për të dyshuarin për vrasje në tentativë

22:58 | 5 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Një muaj paraburgim është masa që ka caktuar Gjykata e Prizrenit ndaj të dyshuarit për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë Gj.S. nga Nasheci i Prizrenit.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prizrenit, Afërdita Kicaj, ka shpjeguar se kjo masë u caktua për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.

“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës 03.12.2018 e cila do të zgjasë deri me datën 02.01.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, i pandehuri Gj.S. dyshohet se më 03.12.2018 rreth orës 13:30 minuta në vendin e quajtur ‘Livadhet e egra’ në fshatin Nashec, me pretekst se qenka ofenduar nga i dëmtuari me iniciale F.N., i cili ishte duke i kullotur lopët, i pandehuri me iniciale Gj.S. shkon në shtëpinë e tij e merr kmesën, e godet dy herë me kmesë në shpinë, e pastaj mundohet me teh të kmesës ta godet në kokë, mirëpo i dëmtuari mbrohet me dorën e majtë, ku nga goditja ia pret gishtat e dorës të cilit i shkakton lëndim të rëndë trupor.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme