Google ADS

Prodhuesit kosovarë shpresojnë të mos hiqet taksa 100%

23:12 | 5 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Janë bërë disa ditë që kur Qeveria e Kosovës ka vënë taksën 100% ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Vendimi në fjalë, ka ngjallur shumë reagime nga palë të shumta, duke mos përjashtuar as përfaqësuesit e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Megjithatë, ata që iu gëzuan më së shumti këtij vendimi, pa mëdyshje se janë prodhuesit vendor.

Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës thotë se vendimi i tillë duhet përshëndetur nga të gjithë, pasi që deri më tash Kosovës si shtet i janë shkaktuar probleme në konkurrueshmëri në forma të shumta.

“Një vendim i tillë, kur ki parasysh pengesat e vazhdueshme që këto dy shtete janë duke i bërë produkteve të Kosovës nëpërmjet tregjeve të tyre, e që në masë të madhe e dëmton edhe prodhuesin e Kosovës duke i bërë jo konkurent. Edhe duke e marrë parasysh aspektin e produkteve të Serbisë që vijnë në Kosovë, shumica prej tyre të subvencionuara prej shtetit në forma jo legale që nuk janë në përputhje me marrëveshjen e CEFTA-s, edhe ajo direkt po shkakton problem në konkurrueshmërinë për produktet e Kosovës, brenda Kosovës”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Sipas tij, reagimet e ndryshme që po vijnë për të hequr këtë taksë, po vijnë në adresë të gabuar.

“Reagimet që po vijnë prej BE-së për neve mendoj se janë duke ardhur në adresë të gabuar. Reagimet duhet të shkojnë në Republikën e Serbisë dhe të Bosnjës, sepse që të dyja vazhdimisht e shkelin marrëveshjen e CEFTA-s, e në rastin e Serbisë edhe marrëveshjet që janë arritur në Bruksel. Për neve është e pakuptimtë, kur për shembull BE-ja në Kosovë është duke e ndihmuar Kosovën dhe duke e asistuar në shumë fusha, njëra prej fushave është edhe konkurueshmëria. Në fondet e BE-së, përkrahet kjo fushë, e të njëjtën kohë Serbia mu këtë pjesë e sulmon me masa të ndryshme, si mos njohja e produkteve të Kosovës është shkelje flagrante e CEFTA-s”, ka vlerësuar ai.

Osmani konsideron se qytetarët e Kosovës duhet t’i përkrahin produktet vendore duke u furnizuar me to. Ai përmend faktin se prodhuesit kosovar kanë kapacitet të prodhojnë edhe më shumë.

“Produktet e Kosovës po e kanë problem me hy në supermarkete, për shkak të prodhimeve të Serbisë. Qytetarët duhet t’iu kthehen prodhimeve vendore, dhe në këtë mënyrë të hollat mbesin në Kosovë në këtë mënyrë edhe prodhuesit prodhojnë më shumë, pastaj edhe hapen vende të reja të punës. Prodhuesit e Kosovës kanë kapacitet për me prodhu më shumë, shumica prej tyre punojnë me 30-40% të kapacitetit instalues, që i bjen se nëse qytetarët blejnë më shumë produkte vendore, kapaciteti i prodhimeve rritet më shumë. Ja dalin nëse punojnë bashkë me konsumatorët, Kosova ka shumë produkte”, theksoi tutje ai.

Kujtojmë faktin se shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi në fjalë nuk do të tërhiqet derisa Serbia të njeh shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, presioni nga ana e shtetit serb sa vjen e shtohet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme