Hoxhaj: Bashkimi Evropian shpërfilli Kosovën për vizat

20:54 | 5 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova ka bërë punën që do të duhej ta bënte çdo shtet serioz sa i përket kritereve për liberalizimin e vizave.
“Nëse kësaj teme do të duhej t’i vendosej një emër kjo është ‘shpërfillje tipike evropiane’ në raport me Kosovën, dhe një lloj mos pranimi evropian, pasi neve na është thënë se procesi është teknik dhe nëse plotësoni kriteret do të shpërbleheni”, tha ai.

Hoxhaj në RTV Dukagjini ka thënë se shtetet me peshë duket se kanë qenë vendimtare për bllokimin e vizave për Kosovën.

“Shtetet mbështetëse ishin të pakta dhe disi të heshtura. Hezitonin të flisnin në favor të liberalizimit të vizave”, tha ai.

Duke folur për procesin e themelimit të ushtrisë, Hoxhaj ka thënë se deri tani gjithçka që është bërë në lidhje me FSK-në, Kosova është konsultuar me shtetet kyçe të NATO-s.

“Duhet ruajtur një raport strategjik me NATO-n. I lus edhe zyrtarët shtetërorë të kenë kujdes me deklarata… Data 14 dhjetor do të jetë ditë historike. Procesi i themelimit të ushtrisë është proces i pandalshëm”.

“Ushtria e Kosovës do të jetë partner i NATO-s, por ne jemi i vetmi vend në botë që do të duam të kemi NATO-n edhe më tej në Kosovë”, tha ai.

Duke folur për taksën ndaj mallrave serbe, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se taksa para se gjithash është veprim politik.

“Është një situatë kur Serbia të vetmen gjë që dëshiron të ketë në suaza normale me Kosovën është tregtia”.

Nënkryetari i PDK-së thotë se subjekti i tij politik vazhdon të mbështesë mbajtjen e taksës ndaj produkteve serbe.

“PDK ka dhënë mbështetje të plotë për taksën ndaj produkteve serbe, deri sa nuk ka ndonjë situatë tjetër nga ajo që është”, tha Hoxhaj.

Për situatën politike në vend, Hoxhaj ka thënë se e “çmojmë qasjen e PSD-së në raport me dialogun dhe rezoluta e tyre e ka mbështetjen e PDK-së”.

“Dialogu nuk i sjellë votë asnjë subjekti politik. Nuk është temë popullore… I ftojmë edhe subjektet tjera opozitare t’i bashkohen këtij procesi në të mirë të vendit… Bashkangjitja e LDK-së, apo VV-së do të ishte mrekulli!”.

Hoxhaj ka thënë se tashmë ka një pajtim se Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti do të kenë një rol drejtues në dialogun me Serbinë.

“Besojmë se nga mesi i dhjetorit do të del në votim në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoxhaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme