Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga partitë opozitare LDK dhe VV, lidhur me dështimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përfundoi dje pa votimin e rezolutës së propozuar.
Votimi i kësaj rezolute është kërkuar që të bëhet në seancën e plenare të së enjtes.
Lidhur me këtë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se me këtë rezolutë është ofruar mundësia që bashkërisht të nxjerrim vendin nga kriza institucionale.
“Ne kemi propozuar tryezë për dakordimin e agjendës së ndryshimeve që duhet të ndodhin për të nxjerrë një Qeveri legjitime dhe me shumicë të qëndrueshme. Ne kemi propozuar që në ndërkohë të votojmë ligjet për ushtrinë dhe çështjet tjera që prekin interesin nacional”, ka thënë Hoti.
I pyetur nëse mendon se do të kalojë kjo rezolutë, Hoti theksoi se “mbetet të shohim gatishmërinë e të gjitha forcave politike në Kuvend”.
Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se për ta është e papranueshme që Qeveria aktuale hedh fajin në drejtim të BE-së, duke pasur parasysh që përgjegjëse kryesore për këtë dështim është vetë Qeveria, andaj duhet të hapet rruga për zgjedhje të reja.
“Nesër kjo pikë do të jetë e para për votim, natyrisht nuk mund ta parashikoj tani përveç se të them se edhe dje është parë në vazhdimësi tendenca për të bllokuar seancën e për ta ndalur zërin opozitar. Fakti që kryeministri Haradinaj nuk ishte në seancë për t’u ballafaquar me deputetet, madje asnjë ministër, është dëshmi që këta nuk e kanë ndërmend të reflektojnë dhe të japin përgjegjësi për dështimet”, ka thënë Haxhiu për Telegrafin.
E pyetur rreth deklaratës së nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili dje në seancë theksoi se kjo rezolutë do të jetë e papranueshme për partitë pozitare, Haxhiu theksoi se gjithçka tjetër përveç kërkesës për zgjedhje është pak dhe për ne e papranueshme.
“Me sa kam kuptuar sot ne orën 15:00 ka pasur një përpjekje për harmonizim të tekstit të rezolutës. Këtu janë dy qëndrime LVV-LDK që duam zgjedhje për shkak të skandaleve dhe gjendjes së krijuar në vend dhe në anën tjetër koalicioni që do me zor e me çdo kusht të mbetet në pushtet. S’kemi çfarë harmonizojmë këtu, ata thjesht do të duhej të pranonin që situata e krijuar është e rëndë dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje”, shtoi Haxhiu.
Në rast të mos miratimit të kësaj rezolute ku në mesin e tri pikave përfshihet edhe kërkesa për dorëheqjen e Qeverisë dhe shpërbërjes së Kuvendit, Haxhiu ka thënë se do të shohin se si do të veprojnë, duke mos përjashtuar edhe protestat.
“Do shohim se si do të vijoj nesër por në asnjë rrethanë nuk përjashtojmë organizimet qytetare. Sot kemi qindra arsye për të protestuar, kjo Qeveri s’ka ofruar zhvillim ekonomik, mirëqenie, drejtësi dhe barazi, tani as liberalizim, as anëtarësim në organizata ndërkombëtare madje rrezikojmë të tkurremi edhe me shumë. Prandaj nuk kemi komoditetin të heshtim por duhet bashkim opozitar e qytetarë për ta larguar këtë Qeveri”, u shpreh Haxhiu.
Telegrafi ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e PSD-së, Natyra Kuçi për të parë nëse ky subjekt do ta votojë nesër rezolutën e propozuar nga LDK dhe VV, e njëjta ka thënë se për këtë do të merr vendim Grupi Parlamentar.
“Nesër në mbledhje të Grupit Parlamentar diskutohet kjo pikë”, deklaroi Kuçi.
LDK dhe VV kanë propozuar për miratim në Kuvend këtë Rezolutë:
1. Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
2. Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.
3. Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë.
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...