Rihapet gjykimi për terrorizëm në ditën e shpalljes së aktgjykimit

15:12 | 5 Dhjetor 2018
V. S.

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka mundur të shpallë një verdikt ndaj pesë të akuzuarve për terrorizëm prandaj vendosi ta rihapë rastin në ditën kur pritej shpallja e aktgjykimit.

Vendimi për rihapjen e procesit u dha në kohën kur të akuzuarit dhe publiku prisnin aktgjykimin.

Pas këshillimit dhe votimit trupi gjykues në krye me gjykatësin Naser Foniqi dhe dy gjykatësit e tjerë Hamdi Ibrahimi dhe Agim Kuçi kanë marrë vendim që të hapet përseri shqyrtimi gjyqësor.

Arsyeja e rihapjes së shqyrtimit gjyqësor u bë për shkak se sipas kryetarit të trupit gjykues, prokurori i rastit Afrim Shefkiu duhet t’i qartësojë disa detaje në lidhje me veprimet e të akuzuarve kundrejt veprave penale të cilat u vihen në barrë.

Seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta u caktua për datën 14 janar 2019.

Në këtë proces Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme