Paturpësia e Bashkimit Evropian për të izoluar qytetarët e Kosovës

09:06 | 5 Dhjetor 2018
arbresh.info

Nënçmimi që po i bënë Bashkimi Evropian Kosovës, dhe shpërfaqja publike e kohëve të fundit ka rritur frustrimin edhe tek intelektualët në vend.

Pavarësisht kësaj, ata vlerësojnë se Kosova nuk po rrezikon raportet me Bashkimin Evropian edhe pas rezistencës për të mbajtur taksën 100 për qind për produktet serbe.

Analisti, Astrit Gashi, duke folur për taksën thotë se ajo është më tepër ftesë e zhurmshme për ndërtim e afrim raportesh mes Kosovës e BE-së

“Taksa është vendim i pavarur i Kosovës e cila është drejtuar ndaj Serbisë dhe jo ndaj BE-së. Ajo nuk rrezikon marrëdhëniet me BE-në por në fakt fton ketë institucion që të sheh Kosovën si shtet. Gjuha e përdorur gjatë vendosjes së kësaj takse është shumë e kujdesshëm dhe argumentuese në raport me BE-në  saqë unë nuk shoh keqësim raportesh. Ndoshta si e tille ajo është me shumë ftesë e zhurmshme për ndërtim e afrim raportesh mes Kosovës e BE-së”, deklaron Gashi për arbresh.info.

Për analistin, Ramush Tahiri, komisioneri për Fqinjësi të Mirë dhe Negociata të Zgjerimit i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, erdhi në vizitë me kërkesë kundër taksës, ende pa u shqyrtuar kjo çështje në CEFTA.

“Është simptomatike se zyrtari i lart i Bashkimit Evropian erdhi në Kosovë nëpërmjet kufirit administrativ në Merdarë pa një procedurë të veçantë, dhe pas vizitës në Beograd dhe pas deklarimeve paragjykuese për Kosovën dhe për marrëdhëniet me Serbinë. Zakonisht shteti serb nuk i lejon zyrtaret evropian dhe të shteteve të tjera të kalojnë në kufi duke mos e konsideruar si një kufi dhe vendkalim ndërkombëtar. Refuzimi i Hahn që të mbaj konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin e Kosovës ishte nënçmuese dhe ajo që tha në konferencë shtypi ishte e dëmshme për perspektiven evropiane të Kosovës. Hahn erdhi në vizitë me kërkesë të Serbisë dhe doli kundër taksës që shteti i Kosovës i ka vënë mallrave që importohen nga Serbia e Bosnja, ende pa u shqyrtuar kjo çështje në CEFTA dhe pa marr një informacion zyrtarë nga Kosova”, vlerëson Tahiri.

Tutje, ai pohon se është e turpshme për BE-në që qytetarët e Kosovës të mbeten pa liberalizim të vizave.

“Pasi janë zgjedhjet në Parlamentin dhe në institucionet e Bashkimit Evropian unë mendoj se Kosova  nuk ka asnjë nevojë asnjë arsye t’i presë, e t’i takojë zyrtarët e BE-së, por të vazhdojë me takimet e me marrëveshjet bilaterale, sepse nuk duhet të jetë në funksion të karrierës personale të Hahnit,  Mogerinit e të tjerëve. Është e turpshme për vet Evropën që qytetarët e Kosovës mbetën pa liberalizim të vizave dhe pa mundësinë e lëvizjes së lirë”, shprehet Tahiri për arbresh.info.

Për njohësin e rrethanave politike në vend,  Armend Muja, taksa 100 për qind është e lartë dhe që duhet të ulet menjëherë,

gjithashtu thotë se edhe BE-ja duhet të heq pengesat për lëvizjen e lirë.

“Unë jam për tregti të lirë. Por tregtia e lirë duhet të jetë fer. Aktualisht Kosova është në pozitë të pafavorshme në raport me vendet tjera. Ekzistojnë katër lloj pengesash që duhet trajtuar: të liberalizohet tregu i shërbimeve aty ku ne kemi përparësi konkurruese, të hiqen pengesat mbi njohje të diplomave dhe dokumenteve, të insistohet në tregtim përmes normave fikse të shkëmbimit ( Serbia nuk mund të zhvlerësoj dinarin më) dhe të hiqen pengesat politike. Taksa 100% është e lartë. Ajo duhet të ulet dhe që menjëherë të insistoj në adresim të pengesave më lartë. BE duhet të heq pengesatpër lëvizje të lire – pengesat e vizave janë po ashtu një shkaktar për diversion tregtar”, vlerëson Muja.

Sipas analistit, Arben Ahmeti, marrëdhëniet me BE-në i ka rrezikuar korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve tona që të ndërtojnë shtet funksional.

“Marrëdhëniet me BE-në i ka rreziku dialogu joparimor dhe jo korrekt. Këto marrëdhënie i ka rrezikuar korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve tona që të ndërtojnë shtet funksional. Po i rrezikon qasja e BE-së ‘Serbia e para’ në çdo proces integrues. Taksa nuk duhet qe t’i cenojë këto marrëdhënie”, shprehet Ahmeti për arbresh.info.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se qytetarët e Kosovës nuk do të arrijnë të lëvizin pa viza të paktën deri në vitin 2020, duke shprehur zhgënjimin edhe për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme