Shtrenjtohen apartamentet në Shqipëri

07:54 | 5 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kostot e ndërtimit kanë shënuar rritje të ngadaltë dhe të qëndrueshme gjatë tremujorëve të fundit. Sipas INSTAT, Indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e tretë 2018 arriti 103,6, duke shënuar rritje me 0,5 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2017.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit ”Shpenzime transporti” u rrit me 2,5 %, pasuar nga grupi “Kosto të tjera” dhe “Shpenzime për paga” përkatësisht me 2,1 % dhe 0,9 %. Ndërsa rënie ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0,6 % dhe grupi “Shpenzime makinerie” me 0,2 %.

Në tremujorin e tretë 2018, ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1 %.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, rritje kanë shënuar grupet: “Shpenzime materiale” me 0,5 %, “Shpenzime page” me 0,2 %, “Shpenzime transporti” me 0,1 % dhe “Shpenzime makinerie” me 0,1 %.

Ndërsa rënie ka shënuar grupi “Kosto të tjera” me 0,4 %.

Kostot e rritura, një nga faktorët që po ndikojnë në shtrenjtimin e apartamenteve

Më herët, ndërtuesit kishin paralajmëruar për Monitor se ata do të shtrenjtojnë çmimet me të cilat shesin apartamentet. Sokol Kika, administrator i firmës së ndërtimit KIka, që po ndërton në fillim të Komunës së Parisit tha se në kompleksin e ri mendon që të aplikojë çmime më të shtrenjta, ku çmimi për m2 do të jetë rreth 1200 euro. Në dy komplekset e para çmimi për njësi për apartamentet e banimit ishte 900-950 euro për metër në katror.

Gener2 ka filluar ndërtimin e Lakeview Rezidences, një kompleks banimi që do të shtrihet në kryqëzimin e Rrugës së Kosovarëve dhe rrugës Sami Frashëri dhe që do të përmbaje 5 godina, me 600 njësi banimi me një sipërfaqe totale prej 129 mijë metra2. Çmimi për metër katror në këtë kompleks shkojnë deri në 2200 euro për metër katror.

Në Rrugën e Kosovarëve, çmimi mesatar në godinat e reja që janë në ndërtim është 1700-1800 euro për metër në katror.

Tendenca në rritje e çmimeve është vënë re edhe në zonat më periferike. Kompania e ndërtimit Kontakt po ndërton aktualisht pranë zonës së Ali Demit në Tiranë, ku kanë planifikuar 33 godina banimi. Përfaqësues të shitjes në kompaninë Kontakt deklaruan për Monitor se tendenca e çmimeve të shitjes së apartamenteve në Tiranë është në rritje. Aktualisht Kontakt po aplikon një çmim shitje prej 700 euro/m2 duke qenë se janë ende në fazën e hedhjes së themelit, por shumë shpejt do të dalin me një çmim prej 800-900 euro për metër në katror.

Ndërtuesit japin si arsye kryesore për rritjen e çmimeve taksat e larta, të cilat pjesa më e madhe e tyre i kanë transferuar te çmimi final për apartamentet, ku pas taksës së ndikimit në infrastrukturë, pritet që nga 1 janari, ndërtuesit të paguajnë edhe një taksë në natyrë për strehimin social, për krijimin e fondit me 3% të sipërfaqes totale të ndërtimin. Përveç taksës së infrastrukturës dhe taksës së aplikueshme pas 1 janarit për krijimin e fondit për strehimin social, ndërtuesit shprehen të shqetësuar edhe për tarifën mbi mbetjet inerte. Sokol Kika thotë se kostot për një metër kub dhe janë 2000 lekë, çka ka ndikuar në shtimin e kostove./Monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme