Google ADS

Nesër vazhdojnë seancat e papërfunduara

17:06 | 3 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka vendosur që të martën, më 4 dhjetor 2018, në orën 17:00, të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit, me pikat e papërfunduara më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2, 7 dhe 23 nëntor 2018, si dhe seanca tjetër, po ashtu me pikat e papërfunduara më 23 nëntor 2018.

Kryesia njofton se të enjten, më 6 dhjetor, në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë të re.

Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Për herë të parë do të shqyrtohen edhe tri projektligje të tjera:

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligji për produktet biocide dhe Projektligji për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Në vazhdim, do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për familjen.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017, raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017, emërimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Javën e ardhshme, më 14 dhjetor, po në orën 10:00, në një seancë tjetër, Kuvendi pritet të miratojë në shqyrtim të dytë pakon e projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kryesia, në mbledhjen e sotme u njoftua me vendimin e Presidentit për kthimin e Ligjit për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare. Kryesia ngarkoi komisionin funksional për shqyrtimin e këtij projektligji.

Projektligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve, ndërkaq, do t’u shpërndahet deputetëve dhe do të shqyrtohet nga komisioni funksional, pasi për të njëjtin qeveria nuk ka dhënë ndonjë mendim.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme