Simiq paralajmëron: Situata mund të eskalojë nesër

19:59 | 2 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Deputetët e Listës Serbe kanë përsëritur se do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur në hapësirat e grupit të tyre parlamentar në Kuvendin e Kosovës deri në takimin me komisionarin për Zgjerim Johannes Hahn, i cili nesër do të arrijë për vizitë në Kosovë.

Në konferencën e dytë për media gjatë ditës së sotme, Igor Simiq nga Lista Serbe ka bërë të ditur se gjatë takimit ata do të njoftojnë Hahn me “me zhvillimet negative në terren qëkur Qeveria e Kosovës ka vendosur ngritjen e taksës në 100 për qind ndaj prodhimeve serbe”.

Simiq ka konfirmuar se kanë pasur kontakte edhe me Zyrën e BE-së të Natalya Apostolovës, nga e cila kanë marrë porosi, por tha se serbët qëndrojnë pranë kërkesave të tyre për heqjen e taksës prej 100 për qind

“Ne qëndrojmë fuqishëm në kërkesat tona që të takohemi me Hahnin, pasi situata politike është e atillë që nesër mund të eskalojë dhe ne duam që të gjithë në BE t’i njohim se edhe ata bartin përgjegjësinë për këtë që po ndodh, pasi para 15-20 ditësh kanë mundur të reagojnë kur ishte ngritur taksa për herë të parë dhe pastaj reaguan kur është ngritur në 100 për qind”, tha Simiq.

Ai tha se pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, serbët janë duke u ballafaquar me mungesë të ushqimit, barnave, por edhe të shtypit nga Serbia, ndërkohë që sipas tij sot nuk është lejuar të hyjë në Kosovë edhe ndihmat humanitare nga Serbia.

Për më tepër, Simiq ka bërë të ditur se Lista Serbe nuk do të kenë konferenca të ardhshme për sonte, por do të qëndrojnë në hapësirat e grupit të tyre parlamentar.

Ndryshe, deputetët e Listës Serbe nga ora 11.00 janë mbyllur në Kuvendin e Kosovës me kërkesë për takim me komisionarin Johanes Hahn kur ai nesër të vijë për vizitë në Prishtinë, të cilit do t’i kërkojnë heqjen e taksës prej 100 për qind.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm