Kina frenon modifikimin gjenetik, hetohet lideri i eksperimentit

23:31 | 1 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Qeveria kineze e ka cilësuar si shkelje të rëndë ligjore, eksperimentin që shkencëtarët kinezë janë duke kryer mbi modifikimin gjenetik. Zyrtarë të qeverisë janë shprehur se, ky eksperiment ka kaluar kufirin e etikës dhe të moralit.

Një hetim sapo ka nisur mbi udhëheqësin e eksperimentit, He Jiankui, i cili është i bindur se ka arritur të modifikojë ADN-në e dy embrioneve, nga të cilët një javë më parë kanë lindur dy binjake, Lulu dhe Nana.

Modifikimi gjenetik i embrioneve, të destinuara për lindje të asistuar, është i ndaluar në Kinë që nga viti 2003.

Ndërhyrja e autoriteteve ishte e pallogaritur, duke marrë parasysh reagimet e dhunshme që nxiti njoftimi.

Të hënën, me një video të hedhur në Youtube, He Jiankui ka shpjeguar përdorimin e teknikës “Crisp-Cas9” për të tjetërsuar ADN-në e disa embrioneve, e për të imunizuar kështu bebet nga një seri sëmundjesh infektive, mes të cilave ajo e AIDS-it.

Nëse kjo është e vërtetë, Lulu dhe Nana, pseudonimet e vëna për të mbrojtur privatësinë e tyre, janë qeniet e para njerëzore të modifikuara gjenetikisht; një moment epokal në historinë e qenieve njerëzore me pasoja etike shumë të mëdha.

Megjithatë, Jiankui nuk i ka publikuar rezultatet e kërkimit të tij në asnjë revistë shkencore.

Frika e bazuar mbi një hamëndësim të natyrës teknike, që shkencëtarët kanë ndaj eksperiment të Jiankuit, është që pas eksperimentit mund të dalin mutacione të paparashikuara, të tilla që mund t’u krijojnë probleme të rënda fëmijëve. Mutacione që mund të dalin edhe në moshë të rritur, ose të trashëgohen madje edhe në brezat pasardhës./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme