15:36 | 1 Dhjetor 2018
Arbresh.info
Nuk ka rregulla të shkruara për të qenë një prind i mirë, por ekzistojnë pafund mënyra për t’ia dalë mbanë në këtë sfidë që nis sa foshnja juaj hap sytë dhe derisa i mbyllni ju.
Dhe sigurisht që gjithçka nis nga komunikimi, çelësi i suksesit për çdo lloj marrëdhënieje njerëzore. Të dish të komunikosh është art më vetë, pasi shpeshherë një fjalë e thënë pa u menduar gjatë bëhet rrezikon të përçojë mesazhin e gabuar në momentin e gabuar. Këto janë 4 fjalitë toksike që nuk duhet t’ua thoni për asnjë arsye fëmijëve:
1. Nuk të duroj dot më: Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që realiteti në të cilin jetojmë është i vështirë dhe se çdo ditë është një beteje e re me veten, në çdo hap që hedhim. Mirëpo pavarësisht pengesave apo peripecive me të cilat përballeni, duhet të përpiqeni të ruani një komunikim të shëndetshëm me fëmijën tuaj. Mos harroni se ju jeni pika e vetme e referimit dhe shembulli më i prekshëm për ta. ‘’Nuk të duroj dot më’’ apo ‘’ Më lër të qetë, jam lodhur duke u marrë me ty’’ janë disa prej fjalive toksike që nuk i duhen thënë kurrë një fëmije, pasi ai rrezikon të ndihet fajtori kryesor dhe i gjendjes suaj së ngarkuar emocionale.
2. Ke gjithmonë të drejtë: Një ndër gabimet që bëjnë shumë prindër, të rinj a të vjetër qofshin ata, është t’u japin gjithmonë të drejtë fëmijëve, duke i zhveshur kështu nga çdo lloj përgjegjësie. Para së gjithash duhet të merrni parasysh moshën e fëmijës suaj, p.sh një vogëlush 5 vjeç nuk e ka të qartë konceptin e te drejtës dhe për të është normale të hajë me duar të palara për shembull, ose të dëmtojë librat e shokut të kopshtit. Në këtë moment duhet të ndërhyni ju si prind për ta udhëzuar dhe për ta bërë të kuptojë se ku duhet të ndryshojë. Duke u dhënë gjithmonë të drejtë fëmijëve rrezikoni të dëmtoni zhvillimin e tyre, të rrisni fëmijë të përkëdhelur e egoistë që nuk e njohin konkurrencën dhe s’pranojnë gabimet.
3. Je i paaftë, e shikon sa mirë e bëri motra: Për fat të keq, kjo është një nga ato shprehje që nuk e thonë vetëm prindërit, por edhe familjarë të tjerë. Fëmijët nuk janë të gjithë NJËLLOJ, janë TË NDRYSHËM që do të thotë kanë nevoja, dëshira, pasione dhe aftësi të ndryshme, prandaj mjaft i krahasuat me të tjerët. Në këtë mënyrë thjesht po dëmtoni vetëbesimin e tyre, duke i nxitur të kenë pasiguri dhe frikëra të kota. Mendohuni dy herë para se të nxirrni këtë fjali nga goja.
4.Në qoftë se sillesh kështu, nuk të kam më xhan: Me siguri po sillni në mend të gjitha herët, ku në mënyrë aspak dashakeqe, i keni thënë fëmijës të njëjtat fjalë. Ky lloj kërcënimi emotiv jo vetëm që tremb të vegjlit,por edhe i vë përpara riskut të humbjes së vëmendjes dhe dashurisë të prindërve. Sjellja jo gjithmonë është njësi matëse e afeksionit, ndaj shmangeni këtë fjali sa më shumë të jetë e mundur.