Google ADS

Peci: Gjyqësori ka zgjidhur lëndët që kanë pasur të bëjnë me liberalizim të vizave

13:10 | 1 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur Konferencën e Tetë Vjetore me temën: ‘’Për një gjyqësor të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës’’.

Enver Peci, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, tha se gjyqësori e ka dhënë kontributin e vet në zgjidhjen e lëndëve që kishin të bëjnë me liberalizimin e vizave duke i vendosur këto lëndë si prioritet.

“Viti 2018 ka qenë një vit kur sytë e qytetarëve u drejtuan kah gjyqësori, me shpresën se ne do ta përcaktojmë të ardhmen lidhur me liberalizimin e vizave. Në këtë kuptim, krerët e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial u mobilizuan dhe u vendos që rastet e shenjëstruara për liberalizim vizash të trajtohen me prioritet. Kjo edhe ka ndodhur. Gjyqësori e ka dhënë kontributin e tij në vendosjen e këtyre lëndëve me prioritet. Por, pavarësisht qëllimeve shtetërore, gjyqësori si pushtet, qëllim kryesor e ka vendosjen me  drejtësi për secilin. Duke vendosur drejtë, qytetarëve të këtij vendi do t’ju kthehet shpresa dhe besimi në drejtësi”, ka thënë Peci

Ndërsa ka shtuar se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten sfidat kryesore.

“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfida jonë prioritare vetëm për të siguruar liberalizimin e vizave, por para së gjithash, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve kosovarë, pa dallim etnie, feje a gjinie”, shtoi Peci.

Peci ka përmendur një var reformash të gjyqësorit që nga hartimi i ligjeve të reja, ndryshimet e Kodit Penal, të Kodit të Procedurës Penale, ndryshimet dhe modifikimet e ligjeve ekzistuese e deri te reformimi i administratës.

Në fund Peci ka shprehur shqetësimin rreth administratës së sistemit gjyqësor, ka tha se ata janë të diskriminuar në shumë aspekte, në mungesë të hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat.

“Për fnd, por, si çështjen më të rëndësishme, më lejoni të ndajë shqetësimin tim me administratën e sistemit gjyqësor, të cilët, në mungesë të hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, vazhdojnë të jenë të diskriminuar në shumë aspekte. Në mungesë të këtij ligji, për pozitat dhe punën e njëjtë, ka zyrtarë që paguhen ndryshe. Ndërkohë që si gjyqësor, në gjysmë të këtij viti, u përballëm me grevën e administratës”, ka deklaruar Peci.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme