Perisiç paralajmëron largimin, Bayern dhe Man. United destinacione të mundshme

07:12 | 1 Dhjetor 2018
arbresh.info

Sulmuesi anësor kroat i Interit , Ivan Perisiç dha një intervistë për “FourFourTwo”, ku foli për refuzimin që i bëri Manchester Unitedit në verën e 2017-ës, por një fjali e thënë në fund, ka bërë që të “tremben” tifozët zikaltër.

“Refuzova Manchester Unitedin për të mbetur te Interi dhe mund të them me bindje se Luciano Spalletti ishte arsyeja kryesore që qëndrova pjesë e zikaltërve. Largimi në një tjetër kampionat? Shpresoj që tifozët e Interit të kuptojnë këndvështrimin tim”, deklaroi Perisiç.

Kaq mjaftoi që mediat të nxjerrin menjëherë emrat e skuadrave që janë pretendente për të marrë shërbimet e anësorit kroat, që luan në nivele të larta prej të paktën 3 sezonesh me fanellën zikaltër.

Kështu sipas mediave italiane, agjenti i koratit, Fali Ramadani ka marrë një ofertë zyrtare nga Bayerni i Mynihut, ku është patrioti i Perisiç, trajneri Niko Kovaç që e kërkon me ngulm numrin 44 të zikaltërve në skuadër.

Tekniku kroat i bavarezëve kërkon t’i besojë pikërisht patriotit të tij korsinë e majtë të sulmit, pasi mosha e Franck Ribery nuk premton shumë, ndërsa skuadra përballet edhe me dëmtimin e gjatë të francezit tjetër Koeman.

Skuadra të tjera që mbeten në xhiro për të marrë shërbimet e Perisiç, janë Manchester United, me Jose Mourinhon, por edhe skuadra spanjolle e Atleticos së Madridit, me Simeonen që nuk e ka fshehur simpatinë për anësorin zikaltër.

Gjithsesi në klubin e Interit janë të bindur se nuk mund të heqin dorë për më pak se 50 milionë euro për kartonin e Perisiç, që ndonëse këtë fillim-sezoni nuk ka shënuar shumë gola, mbetet një nga pikat kyçe të formacionit zikaltër./TCh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme