Presidenti thotë se ka marrë një këshillë të çmuar nga Bush për marrëveshjen Kosovë-Serbi

16:23 | 30 Nëntor 2018
A. B.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka njoftuar se është takuar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), George Bush.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka shkruar se ka pasur një takim të ngrohtë me ish-presidentin, Bush.

“Në Dallas takova mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentin George Bush. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor diskutuam për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Ndër tjera, Thaçi ka thënë se ka marr një këshillë të çmuar nga Bush për procesin e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sigurisht se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është aspak e lehtë. Por, presidenti Bush më dha një këshillë të çmuar, të cilën dua ta ndaj me ju.“Ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”, ka shkruar Thaçi.

“Bashkë evokuam shumë kujtime nga e kaluara jo e largët, mirëpo fokusi ynë ishte tek përpjekjet e tashme të shtetit tonë për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe në paqe. Në kontekst të këtyre përpjekjeve, u pajtuam se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi është duke qëndruar për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një vizitë zyrtare me ç’rast është takuar edhe me sekretarin e shtetit amerikan, Mile Pompeo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme