Google ADS

Presidenti Thaçi takon ish-presidentin Bush, e dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë

15:45 | 30 Nëntor 2018
M. A.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush.

Presidenti Thaçi dhe ish-presidenti Bush kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

“Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Përveç evokimit të shumë kujtimeve nga e kaluara jo e largët, presidenti Thaçi dhe ish-presidenti Bush u fokusuan edhe tek përpjekjet e tashme për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe në paqe.

“Në kontekst të këtyre përpjekjeve, u pajtuam se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është aspak e lehtë.

Nga ana tjetër, duke iu referuar vendimmarrjes së lidershipit të Kosovës, ish-presidenti Bush ka thënë se “ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”.

Për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, presidenti Thaçi e ka dekoruar ish-presidentin Bush me Urdhrin e Pavarësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme