Google ADS

Bashkimi Evropian mesazh për Shqipërinë: Të krijohen institucionet e pavarura të drejtësisë

15:21 | 29 Nëntor 2018
Arbresh.info

Shqipëria ka bërë progrese në rrugën e integrimit europian, por institucionet e pavarura në arkitekturën e re të drejtësisë duhet të jenë funksionale dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vijohet me rezultate të mëtejshme konkrete.

Ky është mesazhi që kanë dhënë 3 institucionet kyçe europiane gjatë debatit në seancën plenare të Parlamentit Europian mbi progresin e integrimit europian të Shqipërisë në 2018.

Knut Fleckenstein, eurodeputet: “Presim që qeveria shqiptare të bëjë progresin e duhur deri në marrjen e vendimit të pritshëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit të ardhshëm. Gjithashtu shpresojmë që Këshilli i Ministrave do t’i mbahet fjalës së tij për hapjen e negociatave verën e ardhshme. Çdo gjë tjetër do të ishte kundraproduktive dhe do të ishte e pakuptimtë, pasi do të cënonte stabilitetin e gjithë rajonit. Refoma e drejtësisë ka filluar të japë rezultate e para, por kërkohet vijimi i saj si edhe rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndër çështjet urgjente do të rradhisja realizimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR që duhet të përfundojë para zgjedhjeve lokale të 2019”.

Karoline Edtstadler, sekretare e shtetit austriak: “Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e 5 prioriteteve. Këto janë sinjale pozitive, që tregojnë që Shqipëria është në rrugën e duhur dhe ne e inkurajojmë që të vazhdojë përpjekjet. Shqipëria është duke zbatuar një reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë. Ky proces, ashtu siç u nënvizua nga raportuesi, ka filluar të japë rezultate nën monitorimin ndërkombëtar. Ne inkurajojmë Shqipërinë që të vazhdojë reformën për rritjen e pavarsisë, llogaridhënies dhe profesionalizimit të sistemit të drejtësisë. Strukturat e pavarura të sistemit të drejtësisë të parashikuara nga reforma kushtetuese duhet të finalizohen. Po ashtu si kërkohen rezultate të konsoliduara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të lëndëve narkotike.”

Ndërkohë, komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të anëtarësimit, Johannes Hahn ka bërë një apel të veçantë për uljen e tensioneve në rajon lidhur me marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit.

Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: “Të gjithë duhet të kenë për qëllim që të qetësojnë situatën kryesisht atë lidhur me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka alternativë tjetër përveçse dialogut dhe normalizimit. Është në interesin e rajonit dhe perspektivës rajonale. Të gjithë duhet të tërhiqen nga deklarata që mund të shihen si ndezëse ose të njëanshme”.

Parlamenti Europian, Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Europian i kërkojnë liderëve politikë në Shqipëri që të kapërcejnë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të bashkojnë forcat për integrimin europian./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme