Protestuesi që gjuajti Ramën me këpucë, ndërtime pa leje dhe në Sarandë

22:32 | 28 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Ilias Katiraj, është personi i cili tentoi të qëllonte me këpucë kryeministrin Edi Rama, teksa ky fliste për mediat në ambientet e jashtme të Spitalit të Traumës pas protestës së dhunshme tek parlamenti disa ditë më parë.

Bashkëshortja e tij si dhe deputetë të opozitës ishin kundër masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata, pasi sipas tyre ishte një veprim i kryer pas vendimit për të prishur shtëpinë e tij pa leje tek zona e Unazës së Re.

Por preteksti se ai objekt ishte i vetmi ku mund të fuste kokën familja e Katiraj duket se bie poshtë për shkak të disa dokumenteve zyrtare që vërtetojnë të kundërtën.

“Ilias Katiraj nuk ka ndërtuar pa leje vetëm në Tiranë në zonën e Astirit. Ai është pronar objektesh të ndërtuara pa leje në zona të lakmuara bregdetare si Saranda e Ksamili. Katiraj e ka të çertifikuar me firmën dhe vulën e ish-Drejtorit të ALUIZN-it të qeverisjes së Partisë Demokratike, Shaban Memisë,” thuhet në dokumente.

Sipas dokumenteve dhe fotove, Katiraj ka objekt 3 kate në Berdenesh të Sarandës, me sipërfaqe të parcelës ndërtimore 498.5 metra dhe sipërfaqe totale ndërtimi për banim 378 m2. Për këtë objekt pa leje, Katiraj ka marrë fletën e legalizimit në 3 Mars të vitit 2009./BW/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme