Google ADS

Gjermania bën thirrje për dialog Kosovë – Serbi

19:58 | 28 Nëntor 2018
A. B.

Qeveria e Gjermanisë u bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të shmangin përshkallëzimin e tensioneve midis tyre dhe t’i rikthehen dialogut.

Zëdhënësi Steffen Seibert kritikoi edhe fushatën e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në agjencinë ndërkombëtare të policisë, Interpol, edhe Kosovën për vendosjen e taksës 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin”, tha Seibert në Berlin, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë është parakusht për bisedimet e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, raporton DPA.

Qeveria në Prishtinë ka fajësuar, siç ka thënë, “fushatën e egër” të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, gjatë një votimi që është mbajtur këtë muaj.

Autoritetet kosovare, javën e kaluar, kanë rritur nga 10 në 100 për qind taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme