Ushtria e Rusisë tha sot se po shton numrin e raketave anti-ajrore në gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Moska. Ky veprim vjen pas krizës së re mes Rusisë dhe Ukrainës që u shkaktua nga incidenti i të së dielës, në të cilin forcat ruse kapën tre anije ukrainase dhe ekuipazhet e tyre në Detin e Zi.
Rusia thotë se tre anijet ukrainase, hynë në mënyrë të paligjshme në ujrat ruse dhe injoruan paralajmërimet e rojes kufitareruse, akuza që Ukraina i ka mohuar. Departamenti i Shtetit e dënoi “përshkallëzimin e rrezikshëm” të sjelljes agresive të Rusisë ndaj Ukrainës dhe tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.
Rusia ka akuzuar marinarët ukrainas për hyrje të paligjshme në ujërat ruse dhe për injorim të paralajmërimeve të rojes kufitare ruse dhe i ka dënuar ata me dy muaj burg.
Në përgjigje, presidenti ukrainas Petro Poroshenko shpalli gjendjen e luftës, dhe një numër në rritje udhëheqësish evropianë bënë thirrje për sanksione shtesë ndaj Rusisë.
Në Uashington, Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert gjithashtu dënoi veprimet e Moskës.
“Është një përshkallëzim i rrezikshëm nga veprimet e vazhdueshme agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të
mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. Sekretari i Shtetit dhe Presidenti kanë një marrëdhënie shumë të fortë me qeverinë në Ukrainë, veçanërisht me Presidentin Poroshenko”.
Zëdhënësja Nauert tha se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo do të shkojë në Bruksel javën e ardhshme për takimin e NATO-s dhe se Ukraina ka të ngjarë të jetë një temë e rëndësishme e diskutimeve. Ajo i bëri thirrje Evropës të bëjë më shumë për të ndihmuar Kievin.
Një numër ekspertësh të politikës së jashtme fajësuan gjithashtu Rusinë për rritjen e tensionet.
“Ne e dimë se është faji i Rusisë. Ne e dimë se ata në thelb ende po i mbajnë ukrainasit e kapur si pengje, që është përtej çdo përkufizimi të sjelljes së pranueshme nga një shtet modern i civilizuar”, thotë Jan Surotchak nga Instituti Ndërkombëtar Republikan.
Zoti Surotchak tha se Moska është përpjekur ta destabilizojë Ukrainën në pesë vitet e fundit.
“Tani, po përpiqen të tregojnë një shembull tjetër se si Ukraina nuk është në gjendje të mbrojë kufijtë e saj dhe është një regjim ose qeveri e paligjshme. Dhe kjo është përpjekja e radhës e Moskës në këtë drejtim, pra se një Ukrainë demokratike nuk mund të lejohet të mbijetojë dhe të përparojë.”
Disa ekspertë paralajmëruan se tensionet mund të dalin jashtë kontrollit.
“Nëse Presidenti Poroshenko, duke ditur se zgjedhjet janë afër, mendon se hakmarrja do të ishte një veprim popullor, atëherë një incident mund të çojë tek një incident tjetër dhe ne mund të kemi një luftë të madhe”, thotë Luke Coffey nga Fondacioni Heritage.
Zoti Coffey tha në lidhje me situatën aktuale se të gjithë duhet ta kujtojnë se Rusia ishte ajo që pushtoi Ukrainën lindore dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014. Ai bëri thirrje për një reagim të fortë nga Presidenti Donald Trump.
Të martën një gjykatë në Krime urdhëroi burgosjen prej dy muajsh për 12 nga 24 marinarët e kapur. Pjesa tjetër e grupit do të dalë para gjykatës të mërkurën.
Ukraina shpalli ligjin e luftës në disa nga rajonet e saj kufitare,si përgjigje ndaj incidentit dhe i bëri thirrje perëndimit për më shumë sanksione ndaj Moskës.
Presidenti, Petro Poroshenko, tha se shpallja e ligjit të luftës do të ndihmojë “forcimin e mundësive mbrojtëse të Ukrainës përballë agresionit nga Federata Ruse”. Ai kërkoi nga Rusia të lirojë marinarët dhe anijet e kapura.
Presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu shqetësimin pas vendimit për shpalljen e ligjit të luftës dhe i tha kancelares gjermane, Angela Merkel, se ai shpreson që Gjermania do të ndikojë mbi Ukrainën që të shmangë çfarëdo “akti të pamatur”.
Presidenti Putin pritet të takohet këtë javë me presidentin amerikan Donald Trump, në takimin e lartë të vendeve të G-20-tës në Argjentinë.
Por, në një intervistë për Washington Post, presidenti Trump tha se “mbase nuk do të takohemi”.
Ai tha se vendimi varet nga raporti i plotë mbi situatën duke shtuar se “nuk me pëlqen ai agresion”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia nuk ka marrë asnjë informatë për anulimin e takimit.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...