Këngë e protestë në veri, protestuesit thërrasin “Kosova Metohija” dhe “Rroftë Serbia”

17:31 | 28 Nëntor 2018
A. B.

Dita e tretë e protestës së serbëve, e mbajtur në veri të Mitrovicës, u shoqërua edhe me koncert muzikor, ku iu këndua “Kosovës dhe Metohisë”. Por, aty nuk munguan as fjalimet patriotike serbe dhe thirrjet “Serbia të rrojë”. Duke i akuzuar autoritetet, folësit thanë se Prishtina i urren vetëm pse janë të nacionalitetit serb.

Ata pak shqiptarë që jetojnë në zonën e veriut të Mitrovicës, nuk e patën mundësinë ta festojnë festën e sotme të 28 nëntorit, me flamuj të vendosur para shtëpisë së tyre, ashtu siç e festojnë shqiptarët anë e mbanë, shkruan Gazeta Express.

Veriu sot mbajti protestën e tretë kundër vendosjes së taksës 100% për prodhimet serbe në Kosovë. Edhe në këto fjalime të sotme, nuk munguan thënien patriotike dhe thirrjet “Kosova Metohija” dhe “Rroftë Serbia”.

Numri i protestuesve të ditës së sotme, megjithatë, ishte dukshëm më i vogël se ai i ditës së djeshme, 27 nëntor, ku ishin mbledhur më shumë se 6 mijë persona për të protestuar kundër taksës.

Të mërkurën, nuk pati më shumë se 1 mijë persona që dolën kundër taksës dhe u mblodhën tek ndërtesa e Gjykatës Themelore, në afërsi të zyrave të EULEX’it.

I pari që mbajti fjalim ishte rektori i Universitetit në veri të Mitrovicës, Rade Grbiq, i cili iu tha protestuesve se institucionet e Prishtinës po na mohojnë çdo të drejtë për jetesë dhe për mësim.

“Si rektor, mundem t’ju them se gjithmonë do të jemi me ju dhe do të kërkojmë nga shteti jonë, Republika e Serbisë, që ju të keni shkollim të duhur”, tha ai.

Duke i quajtur autoritetet në Prishtinë si “njerëz të këqij”, ai tha se po të mundnin ata, do të na ndalonin edhe diellin.

Deputeti i Listës Srpska, Igor Simiq, gjithashtu iu foli turmës, duke thënë se autoritetet në Prishtinë i urrejnë serbët e veriut vetëm për arsye se janë të nacionalitetit serb.

“Po tentojnë të na largojnë nga këtu, për shkak se jemi serbë, për shkak se baballarët tanë kanë qenë këtu, dhe ata këtë nuk po duan ta pranojnë”, tha Simiq.

Ai tha se jetesa e serbëve në veri, nuk i intereson askujt në Prishtinë.

Simiq përmendi edhe arrestimin e sekretares së Oliver Ivanoviq, Silvana Arsoviq e cila po dyshohet për manipulimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, ku tha se ajo është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, derisa fëmija i saj ka qëndruar i vetëm në shtëpi.

Ai gjithashtu tha se nuk do ta paguajnë kurrë taksën e vënë nga Kosova ndaj prodhimeve serbe, madje duke e quajtur “haraç”.

“Nuk do t’ju paguajmë kurrë haraç, as nuk duam, e as nuk do ta bëjmë”, tha ai.

Dhjetëra pankartat e mbajtura nga protestuesit kishin mbishkrime kundër taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj prodhimeve serbe.

“100% taksë 0% bukë”, “Ne duam paqe, jo luftë”, ”BE hapi sytë”, ”Ndal dhunën e Prishtinës”, ”Ne po terrorizohemi”, ”Mos na mjegulloni” – ishin këto disa nga pankartat që u shpalosën përballë Gjykatës në Mitrovicën Veriore, së bashkë me dhjetëra flamuj serbë. Ndërsa, nuk mungoi koncerti i organizuar për t’i kënduar “Kosovës dhe Metohisë”.

Protesta kundër taksës do të vazhdojë edhe nesër, 29 nëntor në veri të Mitrovicës, në po të njëjtin vend.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme