Ministri Ademi: Do t’i korigjojmë tekstet shkollore

17:02 | 4 Shtator 2015
M. A.

Arsimi cilësor, shkëmbimi i përvojave mes Kosovës dhe Maqedonisë si dhe krijimi i një universiteti shqiptar në Shkup ishte tema e takimit në mes ministrave të Arsimit të dy shteteve Arsim Bajrami dhe Abdilaqim Ademi.

Ministri i Arsimit të Kosovës Arsim Bajrami konsideroi se marrëveshja e nënshkruar në Vlorë është një marrëveshje historike dhe se ka mundësuar bashkëpunimin në sferën e arsimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë , e që sipas tij kjo është një bazë e shkëlqyeshme për politikat në sferën e arsimit.

 

“Kemi hedhur idenë që të krijojmë ndoshta një diçka të përbashkët shqiptare, mundësinë e bashkëpunimit të gjitha universiteteve shqiptare që vërtetë sigurojnë një mundësi që të krijojmë standardet unike të arsimit të lartë, që janë pjesë e standardeve të Bolonjës dhe të krijojmë një hapësirë ku studentët shqiptarë në hapësirat shqiptare do të lëvizin pa kufizime. Ne kemi diskutuar mjaft gjatë për përvojat e modernizimit në s ektorin e arsimit dhe të dy ministrat dhe të dy shtetet jemi të fokusuar tek ngritja e cilësisë në arsim”, tha Bajrami.

Ministri i Arsimit të Maqedonisë Abdilaqim Ademi tha se ata si shtet në sferën e arsimit janë pak më të avancuar në veçanti në futjen nëpër shkolla të teknologjisë informative, andaj Ademi ka ftuar Ministrinë e Kosovës që këto përvoja t’i ndajnë së bashku.

 

“Arsimi nuk njeh kufij ashtu siç nuk njeh kufij edhe kultura. Rinia ka nevojë për t’u arsimuar jo vetëm në vendin e tij dhe ne si shtete si ministri duhet t’ iu krijojmë mundësi këtyre të studiojnë dhe të arsimohen edhe në universitetet jashtë vendeve të tyre dhe në rast të parë të mund të studiojnë në universitete në gjuhën shqipe. Ne gjithashtu do të ndihmojmë Republikën e Kosovës për t’ u pranuar në asociacionet apo organizatat ndërkombëtare veçanërisht jemi në procesin e konsultimit që Kosova të pranohet edhe në Bolonjë dhe do ta ketë përkrahjen tonë të plotë në takimin e radhës”, tha Ademi

Sa i përket teksteve shkollore në Maqedoni të cilat kanë përmbajtje urrejtëse ndaj shqiptarëve, ministri Ademi tha se janë duke punuar në ndryshimin e ligjit me qëllim që të zhdukin gjuhën e urrejtjes nga tekstet shkollore dhe para se të përpilohen do të mundohen që të bëjnë punën që historianët të merren me këto tekste dhe jo politikanët.

 

“Unë disa herë e kam theksuar se plotësisht pajtohem që në disa nga tekstet shkollore ka përmbajtje kontestuese, ka përmbajtje kontroverse dhe ka përmbajtje që ndoshta nxitin urrejtj en ndëretnike, dhe kjo nuk është mirë sepse nxënësit do të duhej të mësonin nga tekstet shkollore dhe të përgatiten për të ardhëm që të mos mbjellin urrejtje”, tha Ademi

Ministri Ademi ka folur edhe për mundësinë e ndërtimit të Universitetit shqip në Shkup, me qëllim që të krijohen hapësira të mjaftueshme për të gjithë studentët shqiptarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme