Kompania Facebook u vu përballë kritikave të forta të martën prej ligjvënësve të disa vendeve që e akuzuan se po minon institucionet demokratike. Ata kritikuan gjithashtu edhe drejtuesin e saj ekzekutiv Mark Zuckerberg që nuk u doli përballë ligjvënësve për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me këtë çështje.
Facebook-u u vendos nën hetim nga ligjvënësit në Britani pasi firma konsulente Cambridge Analytica, e cila ka punuar gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump-it, u mori të dhëna personale 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut pa dijeninë e tyre. Ky fakt ka shtuar shqetësimin e përdoruesve për mënyrën si shfrytëzohen të dhënat personale për politikë.
Shqetësimet rreth praktikave të gjigantit të medias sociale, roli i reklamave politike, ndërhyrja e mundshme në votën për Brexit-it në 2017-ën si dhe zgjedhjet amerikane janë ndër temat që po hetohen nga autoritetet britanike e evropianë.
Ndërsa Facebook-u thotë se ka vepruar në përputhje me ligjet e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, ligjvënësit nga disa vende të botës në një seancë dëgjimore të veçantë që u mbajt në Londër, kritikuan zotin Zuckerberg për shkak se nuk kishte pranuar të paraqitej vetë për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi këtë temë.
“Nuk kemi parë asnjëherë një gjë si kjo e Facebook-ut. Ndërsa ne luanim me telefonat dhe aplikacionet tona, institucionet tona demokratike … u kthyen me kokë poshtë nga miliarderi moskokëçarës nga Kalifornia,” tha ligjvënësi kanadez Charlie Angus. “Vendimi i z. Zuckerberg për të mos u paraqitur këtu në selinë e parlamentit britanik për mua flet qartë,” tha ai.
Richard Allan, një nga zyrtarët e Facebook-ut, u paraqit në vend të zotit Zuckerberg. “Ai ka pranuar se Facebook-u ka bërë gabime, si dhe ka pranuar nevojën për të zbatuar rregullat mbi të dhënat”.
“Pajtohem me ju se ne (Facebook-u) kemi dëmtuar besimin publik nëpërmjet disa veprimeve që kemi kryer“, tha zoti Allan në seancë.
Facebook-u është ballafaquar me kritika të shumta nga përdoruesit dhe ligjvënësit pasi vitin e kaluar njoftoi se agjentët rusë kanë përdorur platformën e kompanisë për të përhapur informacione të rreme para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, një akuzë që Moska e mohon.
Në mënyrë të përsëritur zoti Allan nuk pranoi të jepte shembuj mbi ndonjë person që është pushuar apo ndonjë aplikacion që Facebook-u ka hequr nga përdorimi lidhur me keqpërdorim të të dhënave, përveç aplikacionit GSR që grumbulloi të dhëna në skandalin e lidhur me “Cambridge Analytica”./VoA/
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...