Deputeti i Alternativës thotë se dorëheqja e kryetarëve në veri është bërë me urdhër të Vuçiqit

16:56 | 27 Nëntor 2018
A. B.

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se dorëheqja e sotme e kryetarëve të komunave veriore është bërë me urdhër të Beogradit, dhe sipas tij një vendim i tillë i një anshëm i Beogradit është prishje e marrëveshjes së Brukselit.

Deda ka thënë se duhet pasur kujdes me lëvizje të tilla, dhe ka ftuar klasën politike për konsensus.

“Dorëheqja e kryetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit, e bërë me urdhër të Vuçiqit, është veprim i njëanshëm i prishjes së marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë. Sot shihet qartë brishtësia dhe kthyeshmëria e marrëveshjeve “historike” në Bruksel, duke hyrë në finalen e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës, me përshkallëzim të gjendjes politike e të sigurisë në pjesën veriore të shtetit”, ka shkruar Deda në Facebook.

“Nuk guxojmë të biejmë në kurth të tjerëve. Sot na duhet mençuri, maturi, bashkërendim të veprimeve dhe konsensus – i cili edhe ashtu është mese i vonshëm”, ka shtuar tutje ai.

Deda thotë se duhet precizuar saktësisht taksën prej 100 për qind.

“Qeveria e Kosovës, po e përsëris, duhet të konkretizojë dhe sqarojë që taksa prej 100% ndaj produkve të prodhuara në Serbi do të hiqet kur Serbia t’i kthehet “normalizimit të marrëdhënieve” duke:

  1. E ndalë në mënyrë të verifikueshme fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës

2. Në mënyrë të plotë e zbaton marrëveshjen për energji; marrëvshjen për IBM; marrëvshjen për kadastër e regjistër civil, si dhe marrëvshjen për diploma universitare”, ka përfunduar ai.

Sot katër kryetarët e komunave veriore në krye me Goran Rakiq kanë dhënë dorëheqje pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme