Një numër ligjvënësisht amerikanë të dielën thanë se nuk janë dakord me vlerësimin e Presidentit Donald Trump, se ai nuk ishte i sigurtë në se Princi Saudit i Kurorës Mohammed bin Salman, ishte përfshirë në vrasjen e gazetarit disident saudit në ambasadën e Rijadit në Stamboll.
Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili pritet të bëhet kryetari i Komisionit të Zbulimit të Kongresit, kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar, i tha CNN-it: “Unë jam informuar nga CIA dhe ndërsa nuk mund të diskutoj përmbajtjen e informacionit, mund të them se Presidenti po tregohet i pandershëm me popullin amerikan.”
Ai shtoi: “Ky qëndrim i Presidentit bën që pozicioni ynë në botë të dobësohet, duke u dërguar tiranëve në mbarë botën mesazhin se ata mund të vrasin njerëz, pa u ndëshkuar dhe se Presidenti ynë ka për t’u dalë në mbrojtje, përsa kohë që ata të flasin mirë për të.”
Javën e kaluar Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë aleatë me Arabinë Saudite dhe se ai nuk e dinte në se princi saudit kishte qenë në dijeni paraprakisht për vrasjen e Jamal Khashoggit. Gazetari me banim në SHBA kishte shkruar artikuj në gazetën “The Washington Post”, ku kritikohej përfshirja e Mohammedit dhe Rihadit në konfliktin shumëvjeçar të Jemenit.
Edhe ligjvënës republikanë, si Senatori i Jutës Mike Lee, e kundërshtoi qëndrimin e zotit Trump. “Nuk jam dakord me vlerësimin e Presidentit”, tha ai në një intervistë për rrjetin NBC.
Një tjetër republikane, Senatorja e Ajovës Joni Ernst, i tha CNN-it, “Mendoj se duhet parë me kujdes kjo çështje.” Ajo tha: “Vërtet Arabia Saudite është një partner strategjik i SHBA, por kur është fjala për çështjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit, ne jemi një vend që i mbrojmë fort këto parime; në se ka tregues për përfshirje të Arabisë Saudite, patjetër që duhet të shqyrtojmë masa të mëtejshme.”/VoA/
Shfaqen grafite me simbolin serb në veri
Mjeku saudit i dyshuar për sulmin në tregun e Krishtlindjeve...
Kurti merr pjesë në manifestimin e Ditës Botërore të gjuhës ...
Vetaksidentohet vetura e policisë në veri, lëndohen pesë pol...
Një person humb jetën pas shpërthimit të bombolës së gazit n...
Këto janë të gjitha çmimet që i ndau FFK-ja