Tahiri: Miratimi i reformave në drejtësi fuqizon luftën ndaj krimit

15:30 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri e ka quajtur ditë të madhe për drejtësinë miratimin e projektligjeve që ai ka sponzoruar dhe të cilat janë miratuar në seancën e djeshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka deklaruar se një epokë e re do të fillojë me zbatimin e këtyre projektligjeve, të cilat do t’i hapin perspektivën e Republikës së Kosovës si një vend kampion në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe do të mundësojnë një shtet ligjor në të cilin të gjithë qytetarët do të jenë të sigurtë për dallim nga aktiviteti kriminal dhe korrupsioni, për të cilat Tahiri ka thënë se Kosovën do ta kenë adresë të gabuar.

Ky është postimi i plotë i Ministrit Tahiri.

“Dje ishte një ditë e madhe për drejtësinë në Republikën e Kosovës. Pas një pune për më shumë se një vit në ridefinimin e vlerave, strukturave dhe angazhimit tonë për sundimin e ligjit, Kuvendi i Kosovës miratoi Kodin e ri Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe Ligjin për procedurën jo kontestimore. Jam tejet mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që dhanë mbështetjen për reformimin e sistemit të drejtësisë. Një epokë e re do të fillojë me zbatimin e tyre, duke e bërë Kosovën një kampion në sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi, një vend të sigurt për qytetarët e saj dhe adresë të gabuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin” ka shkruar Tahiri.

Kujtojmë se dje janë miratuar Projektligjet e Ministrisë së Drejtësisë që përfshijnë përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane dhe rekomandimeve për Kosovën nga raportet e progresit të Bashkimit Evropian, përkatësisht, Kodi i Ri Penal, Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfikskimin e Pasurisë së Paligjshme, Ligji për Mbrotjen e Sinjalizuesve dhe Ligji për Procedurën Jo Kontestimore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme